Nga Ardit Gjinali
Autokracia është një virus tinëzar që depërton në trupin e sistemit demokratik dhe instalohet duke shfrytëzuar hallkat e dobëta të të njëjtit; vret hapësirën demokratike që mundesoi ardhjen e saj në pushtet duke u paraqitur si shpresë për ndryshim dhe rreket të mbysë çdo frymëmarrje demokratike që do të kërcënonte demaskimin e saj publik dhe do të pengonte instalimin e saj si një rend shoqëror. Në një rend autokratik, frymimi dhe belbëzimi i friguar njerëzor quhet liri shoqërore dhe e shprehjes; votimet quhen zgjedhje; shërbimi politik sezonal ndaj pushtetit quhet opozitarizëm parimor; vend – zbrazja e përroit psikik të një individi politik quhet foltore parlamenti; maliqi quhet ligj; diktati quhet urdhër; arbitrariteti quhet rregull; rrushfet- dhënësi quhet taksapagues; praktika korruptive quhet proçedurë e lehtësuar dhe e përshpejtuar.
Virusi i autokracisë rreket të instalohet përmes mendësisë orientale të satrapëve modernë, të tillët që kanë si mentalitet politik sundimin që arrihet përmes shkeljes së standarteve demokratike dhe evokimit të një stabiliteti të gënjeshtërt shoqëror dhe politik;- stabilitet që mvesh zërin e reagimit qytetar, mjegullon shikimin e syrit që kontrollon praktikat abuzive të keqqeverisësit dhe gumëzhin dëgjimin e qeverisësit ndaj hallit të pazgjidhur të qytetarit të thjeshtë që troket dyerve të ftohta të institucioneve ; të tillat që funksinojnë mbi fermanet e lëshuara nga mëkëmbësit e stabilokratit të madh.
Autokraci-virusi mund të luftohet përmes krijimit të kundërtrupave që do të mundësonin rritjen e imunitetit demokratik të një shoqërie , që mund të realizohet përmes vendosjes dhe zbatimit të standarteve demokratike që do të kurorëzonin suksesshëm proçesin e Integrimit Europian; i tilli që do të ishte vaksina e duhur që do të shëronte sistemin demokratik nga infektimi që i shkakton virusi i autokracisë. Zgjedhjet e lira, vullneti qytetar i pa-deformuar, reagimi qytetar kur i njëjti shkelet, zbatimi i ligjit, balanca e pushteteve dhe liria e informimit janë elementët thelbësore që do të luftonin flamën e autokracisë ; këta do të ishin baza e shëndetëshme që do të largonin ose do të pengonin rikthimin e të keqes në organizmin demokratik.
Integrimi Europian është qëllimi më i lartë i lirisë dhe kurorëzimi i idealeve më të larta për mirëqënien, prosperitetin, zhvillimin, zbatimin e ligjit dhe konsolidimin e demokracisë; është konfirmimi përmes akteve i pjesëmarrjes në aleancën më të madhe të vlerave perëndimore duke materializuar kauzën e një Shqipërie Europiane, e tilla që nuk mund të jetë vetëm një nocion gjeografik; Integrimi Europian është kauza më e lartë e patriotizmit modern që njehsohet me interesin më të lartë kombëtar të Republikës, gjithashtu. Proçesi i Integrimit Europian gjatë këtyre 7 viteve nuk ka njohur asnjë progres thelbësor dhe ka mbetur në një stanjacion dramatik duke u endur mes propagandës qeveritare të sukseseve të lavdishme dhe kushteve të shtuara nga Bashkimi Europian si pasojë e regresit të vazhdueshëm në të gjithë hallkat e jetës shoqërore , politike dhe shtetërore. Skepticizmi i zëshëm i Amsterdamit zyrtar nuk është i vetmi në hartën e zgjeruar të shteteve anëtare që kanë dyshime thelbësore mbi progresin e propaganduar nga propaganda qeveritare përmes analeve të lobimit; nuk mbetet e tepërt të kujtojmë 9 kushtet e miratuara me votën e pjesëtarëve të Bundestagut Gjerman që përfaqësojnë vullnetin e qytetarit Gjerman, gjithashtu; deklaratat e zyrtarëve politikë dhe institucionale mbi shkeljen e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe miratimet e njëanshme kushtetuese janë vazhdimësi e një panorame të trishtë që nuk e bën skepticizmin hollandez të ngjasojë si një rrufe në qiell të pastër; qielli është njëjtë gri, si grija politike e ditëve autokratike që po jetojmë.
25 Prilli është apeli i vazhduar dhe i përsëritur për një Shqipëri të ditëve më të mira ku pjesëmarrja e gjerë qytetare në zgjedhje dhe ushtrimi i të drejtës demokratike për të votuar janë komponentët kryesorë që do të garantonin ndëshkimin e keqqeverisjes, e tilla që është shndërruar në një makth për vlerat më të mira të lirisë dhe demokracisë. 25 Prilli është dita e madhe e patriotizmit modern kombëtar ku forca e votës është evolucioni i vërtetë demokratik që do të garantonte fillimin e kurorëzimit të proçesit të Integrimit Europian, i tilli që do të ishte ngadhënjimi i vokacionit perëndimor të qytetarëve shqiptarë. Një bashkim i madh për ditë më të mira për ta bërë Shqipërinë të jetueshme dhe të rëndësishme sërish. Koha është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë….
© Argumentum.