Shaip Kamberi, deputet nga Bujanovci, kryetar i grupit të vetëm opozitar në parlamentin serb kritikon politikën e Vuçiqit ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë, që i diskriminon ata në të drejtat e tyre si dhe ekonomikisht.
“Ne kemi tri marrëveshje politike të nënshkruara me qeveritë e Serbisë. Kemi marrëveshjen e vitit 2001, pas përfundimit të konfliktit, në vitin 2009 kemi një rikonfirmim të asaj marrëveshjeje me prezencën e OSBE-së dhe në vitin 2013, kemi planin shtatë pikësh, të cilin Qeveria e Serbisë e kishte aprovuar pa asnjë ndryshim. Një dokument, të cilin e kishin hartuar partitë politike shqiptare për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Megjithatë, në praktikë nuk kemi lëvizje pozitive, thashë se kemi lëvizje retrograde me mbylljen e gjykatës, prokurorisë, me mbylljen e institucioneve të shumta rajonale duke centralizuar skajshëm gjithҫka. Pra mungesa e vullnetit politik këtu në Beograd është fajtori kryesor për mos integrimin e shqiptarëve. Kemi një pakicë, e cila jeton e koncentruar në tri komuna dhe e cila në vazhdimësi në 18 vitet e fundit shpreh vullnet për t‘u integruar. Dhe, kemi në anën tjetër një shtet i cili refuzon në tërësi kërkesat tona për integrim. Duke qenë të zhgënjyer me këtë proces, ne shohim si të vetëm zgjidhje mundësinë e kyҫjes së temës së Luginës së Preshevës në bisedimet Kosovë-Serbi, në formën e ndërtimit të një reciprociteti me të drejtat e serbëve në Kosovë. Serbia nuk mund të insistojë në vazhdimësi dhe të luajë me standarde të dyfishta duke kërkuar standarde që janë mbi standardet e Bashkimit Evropian sa i përket të drejtave të serbëve në Kosovë, ndërkohë që ne na i mohon ato të drejta që janë të garantuara me legjislacionin e brendshëm. Pra mundësia e vetme dhe e fundit e përmirësimit të pozitës duhet të jetë shtruarja e ҫështjes së Luginës së Preshevës në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thekson Kamberi.
Deklaratat e Kamberit në disa seanca të Kuvendit të Serbisë e kanë kthyer atë në qendër të vëmendjes në opinionin serb. Kamberi u kritikua e sulmua pasi përmendi krimet, diskriminimin, por edhe gjendjen e politikës në Serbi. Shumë serbë e lavdëruan duke e quajtur liderin e ri të opozitës serbe, pasi replikat kryesore në Kuvend zhvillohen mes Shaip Kamberit dhe deputetëve që shumica i takojnë maxhorancës. Pas zgjedhjeve parlamentare të 21 qershorit, qeveria u formua katër muaj me vonesë dhe me paralajmërimin, se kjo qeveri do të ketë kohë të limituar prej një viti e gjysmë. Serbët do të mund të votojnë sërish për parlamentin dhe njëkohësisht edhe për presidentin e vendit në prill të vitit 2022. Shumë parti opozitare i bojkotuan zgjedhjet pasi ishin të mendimit, se nuk ka kushte të mjaftueshme për zgjedhje të lira dhe demokratike, duke akuzuar presidentin serb, Alleksandar Vuҫiq për kontroll total të mediave. /DW