Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të OSBE në Tiranë, Vincenzo Del Monaco.
Në një postim në “Facebook”, Kreu i Shtetit shprehet se e ka uruar ambasadori e OSBE-së për mandatin e ri dhe thekson se gjatë takimit ka kërkuar që “Prania e OSBE-së duhet të luajë një rol më të rëndësishëm në mbështje të reformave strategjike në kuadër të nisjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, veçanërisht në fushën e zgjedhjeve, demokracisë, sundimit të ligjit”.
Postimi i plotë i Presidentit Meta në Facebook:
Pata kënaqësinë të prisja në një takim Kryetarin e ri të Pranisë së OSBE-së, Ambasadorin Vincenzo Del Monaco dhe t’i uroja suksese me rastin e fillimit të mandatit të tij në Shqipëri.
Vlerësova rëndësinë e OSBE-së për Shqipërinë, si Organizata e parë shumëpalëshe në të cilëm aderuam pas rënies së komunizmit, si dhe kontributin ndër vite të saj në drejtim të forcimit të demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tonë.
Theksova se Prania e OSBE-së duhet të luajë një rol më të rëndësishëm në mbështje të reformave strategjike në kuadër të nisjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, veçanërisht në fushën e zgjedhjeve, demokracisë, sundimit të ligjit, forcimit të institucioneve të pavarura, respektimit të të drejtave të njeriut dhe luftës kundër krimit e korrupsionit.