Nga Genc Mlloja
Në sfondin e zhvillimeve të vrullshme ndërkombëtare dhe pasojave tragjike njerëzore dhe tejet të rënda social-ekonomike të shkaktuara nga pandemia coronavirus në mbarë botën, 2020 është karakterizuar nga një larmi ngjarjesh më rëndësi historike kombëtare për Kinën, të cilat po influencojnë dukshëm në ecurinë e njerëzimit kur qartas po konturohet nje rend i ri boteror i orientuar fort kah multilateralizmi. Pjesë e kësaj tablloje janë edhe ngjarjet në Hong Kong, të cilat kanë ndjekur një kurs progresiv drejt zhvillimit të mëtejshëm të një stabiliteti dhe sigurie më të mirë duke e kthyer jetën e popullsisë në normalitet atje sipas parimit ‘Një vend, dy sisteme’. Vlerë e shtuar në këtë drejtim është konsideruar vendimi i kohëve të fundit i Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor Kombëtar (KPK) për kualifikimin e anëtarëve të Këshillit Legjislativ të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kongut (HKSAR).
Në vendimin e miratuar në sesionin e 23-të të Komitetit të Përhershëm të KPK-së të legjislaturës së 13-të, organi më i lartë ligjvënës i Kinës, thuhet se ligjvënësit që minojnë sigurinë kombëtare, mbështesin të ashtuquajturën “pavarësi të Hong Kongut” dhe kërkojnë ndërhyrje të jashtme në punët e Hong Kongut, do të përjashtohen menjëherë. Vendimi rendit rrethanat që konsiderohen shkelje, si mbështetja e të ashtuquajturës “pavarësi e Hong Kongut”, refuzimi i njohjes së sovranitetit të shtetit, kërkimi i ndërhyrjes në punët e Hong Kongut nga vendet e huaja ose forcat e jashtme si dhe kryerja e veprimeve të tjera që rrezikojnë sigurinë kombëtare.
Li Zhanshu, kryetar i Komitetit të Përhershëm të KPK-së deklaroi më 30 qershor 2020 se miratimi i njëzëshëm i ligjit dhe vendimit përkatës pasqyron vullnetin e popullit kinez duke përfshire bashkatdhetarët e Hong Kongut. Duke theksuar se sigurimi kombëtar, stabiliteti social dhe shteti ligjor janë premisë për zhvillimin e Hong Kongut, Li tha se legjislacioni përfaqëson aspiratat e popullit dhe një trend të pakundërshtueshëm të kohës.
Pas miratimit të vendimit, qeveria rajonale e Hong Kongut ka përjashtuar katër anëtarë të Këshillit Legjislativ me vendim të formës së prerë sepse sipas një deklarate zyrtare nga autoritetet hongkongase anëtarët e përjashtuar rrezikuan sigurinë kombëtare dhe nuk përmbushën kërkesat dhe kushtet ligjore për të mbështetur Ligjin Themeltar të qytetit.
Rreth 2.93 milionë banorë të Hong Kongut nënshkruan një peticion në mbështetje të legjislacionit për sigurimin kombëtar gjatë një fushate tetë ditore që nisi më 24 maj të këtij viti.
Pak histori…
Për të aritur deri në këtë vendim ka pasur disa shkaqe, të cilat sikurse argumentojnë jo vetëm ligjëvënësit por edhe përfaqësues të shtresave popullore në Hong Kong, kanë vënë në rrezik sigurinë kombëtare, rendin shoqëror dhe stabilitetin e vendit.
Kursi i ngjarjeve që nga nënshkrimi i Deklarates së Përbashkëet kino-britanike sipas të ciles Kina riniste ushtrimin e sovranitetit mbi Hong Kong më 1 korrik 1997 mori një kthesë serioze këta dy vitet e fundit çka trazoi rendin dhe sigurinë në Hong Kong dhe jetën e punën normale si dhe rritën shqetësimin e popullit por edhe të autoriteteve qëndrore dhe lokale. Sipas autoriteteve zyrtare, të ashtuquajturat “forca pro-demokratike” dhe forca të jashtme, në mënyra të ndryshme, kanë nxitur protesta të dhunshme të përkrahësve të tyre, duke prishur rendin normal shoqëror dhe duke kërkuar “pavarësinë” e qytetit. Përfaqësues të këtyre forcave kanë kundërshtuar ashpër çdo përpjekje në vite në këshillin legjislativ të Hong Kongut për miratimin e neneve rreth ligjit të sigurisë kombëtare. Edhe pse në një situatë të tillë qeveria kineze duket se ka lëshuar pe për një periudhë të gjatë. Përballë një rrëshqitje drejt kërkesave publike separatiste që nënkuptonin qartë shkëputje nga vendi mëmë e kthim të Hong Kongut në një ‘vend të pavarur’, qeveria qëndrore duke patur mbështetjen e pushtetit lokal dhe të pjesës dërmuese të popullsisë të të gjitha shtresave nuk ndejti duarkryq. Kongresi Popullor Kombëtar si organi suprem legjislativ, pra parlamenti i Kinës, sipas Kushtetutës dhe Ligjit Themeltar të Hong Kongut mori vendimin të shtojë përmbajtje të ruajtjes së sigurisë kombëtare në shtojcat e ligjit themeltar hongkongas për të goditur separatizmin dhe parandaluar përpjekje të mëtejshme në këtë drejtim në të ardhmen.
Me të drejtë lind pyetja se përse qeveria qendrore e ka toleruar këtë situate, e cila mori përmasat e dhunëshme të disa muajve më parë që paralizuan për një kohë të gjatë jetën normale në Hong Kong. Një ndër argumentet që përmëndet është se autoritetet e Pekinit zyrtar dhe ato lokale i kanë trajtuar këta forca kundërshtuese si njerëz që mbajnë qëndrim të ndryshëm politik, por duke e njohur përkatësinë ndaj atdheut larg çdo ideje separatiste. Pikërisht shndërrimi i platformës një ‘qëndrim ndryshe’ në ‘përpjekje separatiste’ prej këtyre forcave duhet të ketë bërë që të ndryshojë në mënyrë radikale natyra e problemit si dhe mënyra për të përballuar zhvillimet e padëshiruara. Të ndodhur në një situate të tillë të ‘faktit të kryer’ duket se nuk kishte rrugë tjetër për autoritetet qëndrore veç ti ktheheshin mjeteve ligjore sipas procedurave legjislative në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin Themeltar të Hong Kong-ut.
Respektimi i ligjeve kombëtare një normë ndërkombëtare
Qeveria HKSAR ka njoftuar diskualifikimin e katër anëtarëve të LegCo pas vendimit të miratuar nga institucioni më i lartë legjislativ i Kinës. Ky është një vendim i Komitetit të Përhershëm të KPK-së i cili ka status kushtetues dhe efekte ligjore, thanë një grup anëtarësh të LegCo të cituar nga agjencia Xinhua më 11 nëntor.
Duke komentuar vendimin e Komitetit të Përhershëm të KPK-së mbi kualifikimin e disa anëtarëve të Këshillit Legjislativ të Hong Kongut, Kryeekzekutivja e Rajonit Carrie Lam në një postim në Facebook më 13 nëntor 2020 tha se ishte një masë e nevojshme për t’i vënë gjërat në vendin e duhur.
Ndër të tjera ajo shtroi çështjen e rëndësisë së vendimit për të krijuar një rregull të qartë për përgjegjësitë e anëtarëve të Këshillit Legjislativ të Hong-Kongut, që shkelin betimet e bëra kur morën detyrën, duke mos lënë asnjë hapësirë për ngatërresa. Por ajo tërheq vëmëndjen me pyetjen retorike si më poshtë: “A ju interesojnë vërtetë interesat dhe mbijetesa e industrive hongkongase anëtarëve të Këshillit Legjislativ që vizituan ShBA-në vitin e kaluar për lobimet në Kongresin dhe qeverinë amerikane për vendosjen e sanksioneve ndaj Hong-Kongut? Kur u luteshin qeverive të huaja të ndërhynin në çështjet e Hong Kongut, a e harruan ata betimin për besnikëri ndaj Ligjit Themeltar dhe Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Hongut të Republikës Popullore të Kinës”?
Ndërkohë qeveria e HKSAR kundërshtoi dhe dënoi me forcë të hënën akuzat e pabazuara nga disa qeveri dhe subjekte të huaja kundër vendimit të Komitetit të Përhershëm të KPK-së për kualifikimin e anëtarëve të Këshillit Legjislativ të HKSAR, njofton Xinhua. Akuza të tilla kanë për qëllim minimin e marrëdhënies mes qeverisë qëndrore dhe HKSAR në “Një vend, dy sisteme”, tha një zëdhënës i qeverisë së HKSAR, në një deklaratë. Zëdhënësi i përshkroi akuzat si ndërhyrje flagrante që shkel parimet themelore udhëzuese të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Betimi për besnikëri ndaj sistemit të vendit dhe mbështetja e ligjeve kombëtare është një normë ndërkombëtare për zyrtarët publikë dhe çdo shkelje e betimit nuk do të tolerohet, tha zëdhënësi. Ato figura të huaja politike që bënë akuza kundër qeverisë qendrore dhe qeverisë HKSAR janë duke zbatuar qartë standarde të dyfishta, shtoi zëdhënësi. Vendimi nga Komiteti i Përhershëm i KPK-së është kushtetues, i ligjshëm dhe i domosdoshëm, i cili përcakton qartë pasojat e anëtarëve të LegCo që shkelin parakushtet ligjore të përkrahjes së Ligjit Themelor të HKSAR dhe betimit për besnikëri ndaj HKSAR, tha zëdhënësi.
Nga ana tjetër zëdhënësi i Zyrës së Komisionarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong Kongut duke hedhur poshtë dhe dënuar kategorikisht më 13 nëntor akuzat nga disa politikanë perëndimorë për vendimin e Komitetit të Përhershëm të KPK-së mbi kualifikimin e anëtarëve të Këshillit Legjislativ të Hong Kongut theksonte se e ashtuquajtura Aleancë Ndërparlamentare mbi Kinën, e cila përfshin politikanë nga Australia, ShBA-ja, Kanadaja dhe Gjermania, e dënoi këtë veprim, duke thënë se ai do t’i japë fund parimit “Një vend, dy sisteme” në Hong Kong. Sipas kësaj Zyre vendimi i organit të lartë ligjvënës të Kinës është i arsyeshëm, i ligjshëm dhe i domosdoshëm për mbrojtjen e vazhdimit me sukses të parimit “Një vend, dy sisteme”, dhe hodhi poshtë një ndërhyrje të tillë të jashtme.
Një numër i vogël anëtarësh kanë dëmtuar në mënyrë të paskrupull Këshillin Legjislativ dhe kanë penguar funksionimin normal të sistemit politik dhe të qeverisjes së Hong Kongut, në kundërshtim me betimin e besnikërisë, rregulloret dhe ligjet, theksoi zëdhënësi i Zyrës.
Edhe ambasadori kinez në Britaninë e Madhe Liu Xiaoming i deklaroi gjatë një takimi më 15 nëntor 2020 Philip Bartonit, nënsekretar i përhershëm i Ministrisë së Jashtme të Komonuelthit dhe të Zhvillimit të Britanisë së Madhe se populli kinez, duke përfshirë bashkatdhetarët e Hong Kongut, e kundërshtojnë me vendosmëri çdo fjalë ose veprim të vendeve të tjera ose forcave të jashtme që ndërhyjnë në çështjet e Hong Kongut duke e bërë të qartë se problemi i kualifikimit të anëtarëve të Këshillit Legjislativ të Rajonit të Posaçëm Administrativ është çështje e brendshme e Kinës. Liu vuri në dukje se, ditët e fundit, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme të Komonuelthit dhe të Zhvillimit të Britanisë së Madhe kanë bërë akuza të pabazuara kundër këtij vendimi. Pala kineze, tha ai, e nxit palën britanike që të ndalojë menjëherë ndërhyrjen në çështjet e Hong Kongut dhe në punët e brendshme të Kinës.
A kanë besuar me të vërtetë këto forca të ashtuquajtura kundërshtuese në Hong Kong në realizimin e kësaj ndërmarrje ‘separatiste’? Ndonjë grup i vogël tepër ekstremist ka ushqyer një ‘ëndërr’ të tillë, por zor se shumë syresh të kenë besuar me të vërtetë se do të ndodhte një ‘braktisje’ nga autoritetet shtetërore dhe populli kinez i një pjese integrale të vendit. Sikurse dëshmojnë edhe zhvillimet e fundit janë të dukshme përpjekjet e qeverisë qëndrore në Pekin që Hong Kongu dhe Makau të integrohen sa më tepër me vendin, të jetojnë me pulsin e tij. Kësisoj edhe plani i 14-të pesë-vjecar (2021-2025), i miratuar nga Partia Komuniste e Kinës në fillim të nëntorit, i kushton një vëmëndje të posaçme zhvillimit të dy rajoneve administrative të Hong Kongut dhe Makaos dhe ndër të tjera në këtë dokument ambicioz zhvillimi theksohet mbështetja që ata të integrohen me kombin dhe konkretisht në këtë kuadër është parashikuar ndërtimi i Zonës së Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makau./CRI