Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se nuk ka asnjë motiv të fshehur pas vendimit të tij për të mos uruar presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden për fitoren e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke insistuar se Kremlini po pret “fundin e ngërçit të brendshëm politik”.
Këto komente Putini i bëri gjatë një interviste për televizionin shtetëror më 22 nëntor. Kremlini edhe më herët është pyetur se pse Putini nuk e ka uruar për fitoren Bidenin, ashtu siç kanë bërë shumë liderë evropianë dhe botërorë.
Në zgjedhjet e kaluara amerikane, Putini ishte në mesin e liderëve të parë që uroi për fitoren Donald Trumpin, duke lëshuar një deklaratë më pak se 12 orë pasi kundërkandidatja e Trumpit, Hillary Clinton, pranoi humbjen më 9 nëntor, 2016.
Biden jozyrtarisht është shpallur fitues i zgjedhjeve bazuar në numrin e votave popullore që ka fituar dhe të votave elektorale.
“Nuk është se na pëlqen ose nuk na pëlqen dikush – ne thjesht jemi duke pritur për një fund të kësaj konfrontimi të brendshëm politik, “tha Putini, duke shtuar se ai kishte respekt të barabartë për të dy Trump dhe Biden.” Ne do të punojmë me çdo person, i cili mban besimin e popullit amerikan. Por kujt i është dhënë ky besim – ai ose duhet të tregohet përmes konventës politike kur njëra nga palët njeh fitoren e tjetrës, ose rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve duhet të përmblidhen në një mënyrë legjitime, ligjore “,citohet të ketë thënë presidenti rus.