Mimi Kodheli është zgjedhur zëvendës presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Mësohet se vendimi është marrë gjatë mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme.
Në mbledhjen Plenare e Sesionit të 66-të Vjetor të Asamblesë Parlamentare NATO-s, në të cilën mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm NATO-s, Jens Stolenberg ,është zgjedhur, në unanimitet, Mimi Kodheli, njëherazi Kryetare e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATOS, si Zëvëndëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e para shqiptare e zgjedhur në këtë post.
Mimi Kodheli është Doktore e Shkencave Ekonomike prej vitit 2007 dhe Master në Administrim Biznesi nga Universiteti Lincoln, Nebraska, SHBA, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës në vitin 2000.
Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Dega Financë, në vitin 1986.
Znj. Kodheli ka hyrë në politikë në vitin 2002, kur edhe u emërua Zëvëndëskryetare e Bashkisë së Tiranës.
Në vitin 2005, u emërua Prefekte e Qarkut të Tiranës.
Prej vitit 2009 është zgjedhur deputete e Kuvendit të Shqipërisë.
Në karrierën parlamentare ka mbajtur pozicionin e Zëvëndëskryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave përgjatë legjislaturës 2009-2013 dhe aktualisht është Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme.
Gjatë viteve 2013-2017 ka shërbyer si Ministre e Mbrojtjes e Shqipërisë.
Prej vitit 2007 e në vazhdim është Anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.