Nga Alma LAMA*
Ditët e fundit në Kosovë dhe Shqipëri, pas arrestimeve të Gjykatës Speciale të krerëve të UÇK-së janë hapur debate në në lidhje me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, kryesisht gjatë periudhës së administrimit ndërkombëtar në Kosovë. Në këtë shkrim hidhet dritë mbi administrimin e drejtësisë nga UNMIK-u në lidhje me krimet e luftës, ku shpjegohen shkaqet dhe pasojat, veprimet dhe qëllimet dhe misionit të OKB-së në Kosovë, i cili ashtu sikurse ndodh në shumë vende të dala nga luftërat dhe konfliktet, u angazhua në bërjen e drejtësisw tranzicionale apo kalimtare. Kjo është një mënyrë e veçantë e të bërit drejtësi, në përpjekje për të ndëshkuar shkeljen masive të të drejtave të njeriut dhe për t’iu kthyer viktimave dinjitetin në një shoqëri post-konfliktuale. Kjo lloj drejtësie ka për qëllim edhe zgjidhjen e konflikteve dhe rivendosjen e besimit, ripajtimin e palëve në konflikt, vendosjen e sundimit të ligjit dhe rendit demokratik në një afat më të gjatë. Kosova doli nga një konflikt i përgjakshëm dhe implemtimi i drejtësisë tranzicionale ishte pjesë e agjendës së bashkësisë ndërkombëtare.
Përsa i përket trajtimit të krimeve të luftës u mendua dhe u projektua hapja e një gjykate të veçantë në Kosovë, e cila do të kishte panele të përziera me vendorë dhe ndërkombëtarë, dhe do të quhej Gjykata për Krimet e Luftës dhe ato Etnike. Kjo do të ndërtohej sipas modelit të Tribunalit të Hagës dhe do ta ndante juridiksionin me të, si dhe do të shërbente për të gjykuar krime të cilat Tribunali i Hagës nuk mund t’i gjykonte ose për shkak të kufizimeve kohore ose për shkak të ngarkesës, pasi e kishte të pamundur të merrej me të gjitha rastet e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Projekti dështoi për shkak se u vlerësua se ajo mund të shkaktonte tensione të mëdha etnike, dhe në shtator të vitit 2000, pas diskutimesh të shumta ndërmjet faktorëve ndërkombëtarë të vendosur në Kosovë, ideja për krijimin e saj u braksis krejtësisht. Në të vërtetë, ky projekt gjeti përkrahje të madhe nga komuniteti vendor. Nxjerrja e rregulloreve të UNMIK-ut për caktimin e gjyqtarëve ndërkombëtarë ishte edhe fundi i këtij projekti.
Më pas, përgjegjësit e UNMIK-ut në fushën e drejtësisë u fokusuan në disa çështje të tjera që ishin më emergjente, kështu që, krimet e luftës, rrëmbimet, vrasjet dhe çështje të tjera nuk ishin më prioritet. Ekzistonte edhe problemi i mbledhjes së informatave, e po ashtu i dëshmitarëve, të cilët thonin se nuk dëshironin të rrezikonin jetën e tyre ose shëndetin e familjarëve të tyre.
UNMIK-u po ashtu themeloi Zyrën Mjeko-ligjore për Persona të Zhdukur (ZMPZH), brenda shtyllës së I të Policisë dhe Drejtësisë, për të ndihmuar me ekspertizë në kontrollimin e mbetjeve të trupave të pajetë. Edhe kjo çështje, që ishte pengesë e pakapërcyeshme për çfarëdolloj ripajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve, u zvarrit shumë nga Serbia, ndërsa në opinionin publik, UNMIK shihej si fajtor që nuk po punonte sa duhet për të zbardhur fatin e viktimave.
Ishte evidente se ndëshkimi i krimeve të luftës dhe krimeve të tjera nën të drejtën ndërkombëtare nuk kishte qenë një nga qëllimet e Programit për Prokurorë dhe Gjyqtarë Ndërkombëtarë të UNMIK-ut. Ata lanë të patrajtuar pothuajse të gjitha krimet e tmerrshme të luftës që kishin ndodhur në Kosovë, që përfshinin gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe torturat, e po ashtu edhe parimet e përgjegjësisë dhe të mbrojtjes që janë të përcaktuara në të drejtën ndërkombëtare. Dështimi i trajtimit të krimeve të luftës ishte një nga dështimet më të mëdha të UNMIK-ut në Kosovë. Sipas vlerësimit të Departamentit për Drejtësi të UNMIK-ut në më shumë se tetë vjet që ky institucion ka administruar Kosovën, janë zhvilluar vetëm 23 proçese për krime të luftës, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Shumica e këtyre rasteve kishin filluar të gjykohen nga panelet me gjyqtarë vendorë, ndërsa më pas ishin rimarrë nga panelet e gjyqtarëve ndërkombëtare, të cilët i kishin përmbysur shumicën e gjykimeve dhe dënimeve, dhe i kishin kthyer në rigjykim. Shumica e këtyre gjykimeve ishin bërë në mungesë faktesh të mjaftueshme.
Përsa i përket hapjes së rasteve të reja, nga viti 2002 deri me 2007, vetëm gjashtë të tilla ishin hapur. Gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë punonin nën juridiksionin e Kosovës, por për gjykimin e krimeve të luftës ata përdorën kodin e ish-Jugosllavisë. Vetëm gjenocidi dhe krimet e luftës përfshiheshin në këtë kod, ndërsa në praktikë gjenocidi nuk u gjykua asnjëherë, por vetëm krimet e luftës. Krimet e luftës përbëjnë rreth 10 përqind të rasteve të iniciuara ngaprokurorët ndërkombëtarë deri në mars 2003, dhe në vitet e mëvonshme kishte shumë më pak ndjekje penale. UNMIK-u dështoi të ndërtonte dhe zhvillonte një strategji për sistemin gjyqësor, ku përfshiheshin edhe krimet e luftës, gjë që prodhoi një situatë katastrofale si për të pandehurit, ashtu edhe dhe për vikimat e luftës.
Te hetimi dhe ndëshkimi i krimeve të luftës, situata ishte edhe më dramatike në lidhje me mosndëshkimin e krimeve të dhunës seksuale. Megjithëse ishte evidente se dhuna seksuale nga paramilitarët dhe forcat policore serbe, kishte ndodhur në një numër shumë të madh dhe ishte i përhapur gjatë luftës, UNMIK-u e injoroi tërësisht këtë çështje. Dhe kjo ndodhi pavarësisht dokumentimit të krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës nga ana e organizatave të grave si dhe nga NATO, e cila kishte mbledhur dhe dokumentuar dëshmi të krimeve seksuale gjatë luftës, gjatë vitit 1999. Në një deklaratë që kishte dhënë për AI, kryesuesja e Njësisë së UNMIK-ut për Avokim dhe Ndihmë të viktimave, kishte konfirmuar se pavarësisht se kishin marrë në duar një numër shumë të madh të dëshmive nga NATO, më 1999, në lidhje me dhunimet gjatë luftës, nuk kishte hapje të rasteve të krimeve të luftës apo të krimeve kundër njerëzimit, që përfshinin edhe dhunën seksuale. Sipas kësaj zyrtareje, dështimi lidhej me faktin se zyrtarët e UNMIK-ut kishin tentuar të shkonin pas dy vitesh te gratë që kishin dhënë këto dëshmi dhe ato i kishin mohuar dëshmitë e mëparshme .
Sipas saj, kjo lidhet me presionin shoqëror që kishte ndodhur mbi viktimat e abuzimeve, mirëpo sipas Amnesty intenational, UNMIK-u nuk kishte mundur të japë asnjë shpjegim se pse ishte pritur dy vjet për të shkuar e rimarrë dëshmitë, në vend që kjo të bëhej menjëherë. Faktet tregojnë se deri në vitin 2007 vetëm një rast ishte gjykuar, ku një ndër akuzat ndaj të pandehurit ishte edhe dhuna seksuale. Sipas raportit të Amnesty International, dështimi për të gjykuar krime të tilla kishte ndodhur për shkak të mungesës së ekspertizës së policëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë.
Përsa i përket kulturës së turpit për gratë e dhunuara, e cila ekzistonte në Kosovë, duket se nuk ka qenë një argument fort i qëndrueshëm për të mos mbajtur këto gjykime, pasi shumë gra të dhunuara seksualisht në fillim i kishin dhënë dëshmitë e tyre. Po kështu, në vende të tjera si Bosnia dhe Sierra Leone, ku gjithashtu ekzistonte kultura e turpit, prokurorët dhe gjykatësit kishin arritur të zhvillonin shumë gjykime kundër kryerësve të krimeve, pasi e kishin bërë këtë pjesë të strategjisë së prokurorisë dhe hetimeve gjyqësore. Por, siç e kemi parë më herët, ekspertiza për krimet seksuale gjatë luftës nuk ishte një nga kërkesat e UNMIK-ut në konkurset për punësimin e prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, nuk pati as programe trajnuese në lidhje me këtë fushë, e as në lidhje me trajtimin e të mbijetuarve të krimeve seksuale. Kjo ishte në kontrast me trajnimet e shumta dhe përpjekjet që u bënë për hetimin dhe dënimin e autorëve të trafikimit të grave dhe shfrytëzimit të tyre seksual, pas luftës, gjë që të çon në përfundimin se prokurorët dhe gjyqtarët e UNMIK-ut i kanë neglizhuar krimet e luftës në mënyrë të qëllimshme.
Edhe pse u investuan kohë dhe para në ngitjen e një sistemi drejtësie efikas, UNMIK-u, për shtatë vite, deri në përfundimin e mandatit të tij, bëri shumë pak për hetimin dhe ndëshkimin e krimeve të luftës. Gjatë kësaj kohe humbën dëshmi dhe prova të vlefshme dhe disa raste dosjet nuk u hapën fare ose u hapën dhe u braktisën. Në neglizhimin e krimeve të luftës luajti rol edhe fakti që fokusi më i madh u drejtua në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, që gjithashtu ishte një nga standardet që Kosova duhej të plotësonte në mënyrë që të hapeshin bisedimet për zgjidhjen e statusit. Këtë konstatim e bëri Amnisty International, organizatë e cila e kritikonte këtë qasje, dhe akuzonte UNMIK-un se nuk kishte marrë parasysh interesat e vendorëve por ishte e ndikuar nga interesat politike të faktorëve të jashtëm.
Një faktor i rëndësishëm që ka luajtur rol në neglizhencën e UNMIK-ut për të gjykuar krimet e luftës ishte implikimi i njerëzve të ambasadave të disa kryeqyteteve me ndikim, që kishin kërkuar të mos merreshin me krimet e luftës, sepse kjo mund të rrezikonte stabilitetin e Kosovës. Zyrtarët e UNMIK-ut mohojnë të ketë pasur ndonjë strategji në administratën ndërkombëtare për të mos u marrë me krimet e luftës, për shkak se në këtë mënyrë mund të pengohej bashkëpunimi i UNMIK-ut me komunitetet. Në Kosovë kishte mungesë aftësie, mungesë ekspertize, e gjithashtu kishte shumë kundërshtim nga popullsia vendore dhe politikanët vendorë, për shkak se prekeshin shokët e tyre apo anëtarë të partive të tyre. Dhe në vend që të bashkëpunonin me drejtësinë, kjo e fundit përballej me kundërshti.
UNMIK-u nuk u mor asnjëherë me krimet serioze të luftës, për shkak të mungesës së kapaciteteve për t’i kryer ato por kishte krime lufte që mund të ndiqeshin penalisht edhe në nivel lokal, por kjo nuk u bë.
Një arsye se pse prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë nuk u morën me hetimin dhe ndëshkimin e krimeve të luftës mund të ketë qenë edhe fakti që ekzistonte Gjykata e Hagës, dhe ata mendonin se ishte detyrë e saj të merrej me këtë çështje; UNMIK do të zbatonte urdhrat që do të jepte prokuroria e Hagës për ndalime apo arrestime, ndërsa vetë nuk dëshironin të përfshiheshin drejtpërdrejt në këtë fushë, sepse pastaj do të bëhej e pamundur të vepronin ata në Kosovë mes shqiptarëve dhe serbëve, e për më tepër të bashkëpunonin edhe me Beogradin.
Sipas nje nga krerwve tw UNMIK-ut, Petersen, nuk ishte çështja se UNMIK-u nuk dëshironte t’i trajtonte krimet e luftës, por hetimi i tyre nuk ishte i përfshirë në mandatin e këtij institucioni. Ajo çfarë ishte përfshirë ishte hetimi i krimeve ekonomike, korrusioni, krimi i organizuar që ndodhnin në Kosovë pas vendosjes së UNMIK-ut. Në të vërtetë në Rezolutën 1244 nuk permendet në asnjë vend hetimi i krimeve të luftës nga ana e misionit të OKB-së në Kosovë, por në pikën 14 të kësaj Rezolute kërkohet bashkëpunim i plotë nga të gjitha palët, duke përfshirë edhe praninë ndërkombëtare të sigurisë, me Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Rregullorja e UNMIK-ut 2006/64 për caktimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë bazohet pikërisht në Rezolutën 1244 dhe në interpretimin që i bëhet asaj.
Gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë u dërguan në Kosovë për shkak të dështimit të gjykatësve dhe prokurorëve vendorë për trajtimin e krimeve të luftës, menjëherë pas luftës, për shkak të njëanshmërisë së tyre sipas përkatësisë etnike. Edhe përzgjedhja e lëndëve ishte tërësisht në duar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, sepse këtë e mundësonte rregullorja e UNMIK-ut 2000/64, e cila i’u jepte mundësi që të përzgjidhnin lëndët apo t’i merrnin nga duart e vendorëve. Mungesa e termave të qarta në rregullore në lidhje me këtë është kritikuar, pasi PSSP-ja mund të aprovonte panelet ndërkombëtare për çfarëdolloj rasti, duke filluar nga krimet e luftës e deri tek ato të krimeve të thjeshta, nëse e vlerësonte të nevojshme për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë, fillimisht u morën me rastet e krimeve të luftës, pasi kishte disa të arrestuar serbë nëpër qendrat e paraburgimit. Ata trashëguan 43 raste të tilla të të burgosurve serbë, gjykimet e të cilëve kishin filluar nga gjyqtarët vendorë. Ndërkohë që pati edhe një rast për krime lufte kundër disa të akuzuarve shqiptarë, profile të larta të UÇK-së, rast i cili do të hapej e do të mbyllej disa herë në vitet e mëvonshme (Rasti i njohur si i Llapit, ku të akuzuarit u dënuan për krime lufte të kryera ndaj shqiptarëve, gjatë viteve 1988-1999. Vetëm një viktimë ishte serbe¬). Hetimet më pas filluan të përqendrohen në rastet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pasi shumë shpesh personat që përfshiheshin në këto, jo rrallë ishin të njëjtët me ata që nxisnin dhunën etnike dhe terrorizmin. Kështu, gradualisht gjykimi i krimeve të luftës u harrua dhe policët, prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë u fokusuan në çështje krejt të tjera.
UNMIK-u, në fillimin e punës së tij, u vu nën presion sepse të burgosurit e dyshuar për kryerje të krimeve të luftës ishin grumbulluar në ambientet e burgjeve, dhe kishin pak gjasa për të pasur gjykime të shpejta pasi sistemi gjyqësor ishte i shkatërruar. Ndërsa vetë prokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për ish-Jugosllavinë e bëri të qartë se do të merrej vetëm me gjykimin e rasteve më të rënda dhe në shkallë më të gjërë. Ndërkohë që të burgosurit vazhdonin të qëndronin në burg, filluan të prodhoheshin raporte për shkeljen standardeve të të drejtave të njeriut. Të burgosurit serbë ishin shumë të tensionuar dhe me afrimin e afatit prej gjashtë muajsh sa kishte të drejtë t’i mbante KFOR-i të mbyllur, tensionet u shtuan. Të burgosurit serbë u futën në grevë urie. PSSP-ja e zgjati mandatin e paraburgimit në një vit, mirëpo, në lidhje me ç’popullimin e burgjeve nuk u bë asgjë. PSSP-ja filloi me “burgosjet ekzekutive” të cilat gjithashtu u kritikuan nga OSBE-ja. Një ngjarje e rëndë ndodhi më pas në lidhje me këtë çështje, e që ishte arratisja nga Burgu i Mitrovicës i dhjetëra të burgosurve serbë, të arrestuar për krime lufte. Shqiptarët filluan të akuzonin UNMIK-un se i kishte lënë vetë të iknin dhe pretendonin se kishte pasur disa marrëveshje për shkëmbim të burgosurish me Serbinë, që mundësonin që të burgosurit nga Kosova të vinin dhe ta vuanin dënimin, me kusht që UNMIK-u do t’i lejonte të burgosurit serbë që të shkonin nëpër burgjet e Serbisë. Por UNMIK-u nuk e ka pranuar asnjëherë këtë akuzë.
Një vështirësi reale që ndeshi UNMIK-u ishte se shumë nga serbët që kishin kryer krime lufte në Kosovë gjatë vitit 1999, ishin larguar kur mbaroi lufta. Shumica e tyre kishin shkuar në Serbi dhe Mal të Zi, e po kështu edhe në vende të tjëra të Europës. Kjo do të thoshte se disa nga njerëzit kryesorë, autorë të krimeve, gjyqtarët dhe prokurorët e UNMIK-ut nuk kishin pasur mundësi t’i dënojnë, edhe pse i kishin paditur, por nuk ekzistonte mundësia për t’i arrestuar. Nga ana tjetër, ekstradimi i tyre ishte shumë i vështirë pasi Kosova nuk ishte një shtet i pavarur. UNMIK-u negocioi disa marrëveshje ekstradimi dypalëshe me shtetet e tjera, por me Serbinë kjo punë ishte shumë e komplikuar pasi ajo nuk pranonte të bashkëpunonte. Serbia nuk bashkëpunonte as në çështjen e personave të zhdukur, dhe po kështu, u deshën më shumë se një vit pas përfundimit të luftës, që pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare të lironte dhe të kthente të gjithë të burgosurit politik.
UNMIK-u e përfundoi mandatin e tij në fushën e drejtësisë kur i dorëzoi materialet që kishte, pa u marrë asnjëherë seriozisht me krimet e luftës. Edhe pse u investua në themelimin e programit të Prokurorëve dhe Gjykatësve Ndërkombëtarë, sistemi i drejtësisë i ndërtuar nga UNMIK-u bëri shumë pak për ndjekjen penale të krimeve të luftës e për t’iu ofruar viktimave drejtësi dhe dëmshpërblime. Por ky nuk ishte dëmi i vetëm që i’u bë Kosovës me neglizhimin për ndëshkimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Dëm edhe më i madh i’u bë të ardhmes së sistemit gjyqësor të Kosovës, që sipas Amnesty International, do të ishte shumë e vështirë të aftësohej dhe të bëhej i qëndrueshëm pa bërë ndryshime rrënjësore.
Dhe këto ndryshime, që duhej të bëheshin nga misioni pasardhës, që do të ishte ai i BE-së, në radhë të parë kërkonin që të rekrutoheshin prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, të cilët mund të adaptoheshin në sistemin gjyqësor të Kosovës, të trajnoheshin mjaftueshëm dhe të kishin komunikim edhe me gjyqtarët dhe prokurorët vendorë, gjë që gjatë kohës së UNMIK-ut pothuajse nuk ekzistonte. Sipas raportit të AI, jo vetëm që gjatë kohës së UNMIK-ut nuk pati ndërveprim dhe shkëmbim të eksperiencës ndërmjet ndërkombëtarëve dhe vendorëve por, përkundrazi, personeli juridik ndërkombëtar ishte sjellë me arrogancë dhe mungesë respekti ndaj personelit vendor. Kjo ishte konfirmuar për AI edhe nga disa prokurorë dhe gjyqtarët ndërkombëtarë të UNMIK-ut. Por kishte edhe të tjerë që e shpjegonin mungesën e komunikimit me barriera gjuhësore dhe kulturale.
Problemi tjetër kishte të bënte me mënyrën se si e shihnin rolin e tyre në Kosovë vetë gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë. Disa mendonin se duhej që të punonin për të ndërtuar kapacitete vendore, ndërsa disa të tjerë thjeshtë mendonin se duhej të merreshin me zgjidhjen e rasteve gjyqësore me të cilat ishin ngarkuar./Nacionale.info
*Ky shkrim është nxjerrë dhe përshtatur për media nga punimi doktoral i autores me titull: “Roli i UNMIK-ut në implementimin e demokracisë: Ndërtimi i institucioneve, sundimi i ligjit dhe praktikat autoritariste të misionit të OKB-së në Kosovë