Komisioni i Venecias ka dhënë sot opinionin paraprak në lidhje me ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor të bërë nga Edi Rama. Sipas Komisionit të Venecias, ndryshimet Kushtetuese dhe në kodin zgjedhor ishin jashtëzakonisht të nxituara.
Gjykata Kushtetuese duhet të vlerësojë kushtetutshmërinë e ndryshimeve, thuhet në opinionin paraprak të Venecias.
Venecia i ka renditur Edi Ramës dhe mazhorancës që ai drejton të gjitha shkeljet që janë bërë me ndryshimet e njëashme të Kodit Zgjedhor.
‘Në përmbledhje Komisioni i Venecias ka gjetur se: ndryshimet e njëanshme për zgjedhjet, jashtëzakonisht të nxituara;
Ndryshimet u bënë pa konsultime të duhura dhe jo në një proces gjithëpërfshirës; palët duhet të hyjnë në dialog konstruktiv për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve; kushtetutëshmëria e ndryshimeve të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese; ndryshimet kushtetuese shkuan kundër rregullave më themelore demokratike të hartimit të ligjit;
stabiliteti i ligjit zgjedhor është thelbësor për të siguruar besimin në procesin zgjedhor; ndryshimi i formulës së koalicioneve ka pak gjasa të ndikojë në rezultatin zgjedhor; është e vështirë të parashikohet efekti i listave pjesërisht të hapura;
Ndryshimet hynë në fuqi pasi procesi zgjedhor ka filluar; liderët e partive politike të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale’, thuhet në opinionin paraprak të Venecias.
REKOMANDIMET E KOMISIONIT TË VENECIAS
Komisioni i Venecias dhe ODIHR bëjnë rekomandimet kryesore vijuese që duhen ndjekur para zgjedhjeve parlamentare të Prillit 2021:
Të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato;
Të shmanget çdo ndryshim i mëtejshëm i legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti, caktimi i kufijve të zonave elektorale nuk duhet të ndryshohet;
Liderët e partive politike të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale;
Të sqarohet ndikimi i ndryshimeve në lidhje me koalicionet lidhur me nenin 96 të Kushtetutës për emërimin e Kryeministrit.
Komisioni i Venecias dhe ODIHR rekomandojnë, që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021:
Të hiqet mundësia që liderët e partive politike të garojnë në disa zonat elektorale;
Të respektojë të drejtat e barabarta për të gjitha palët në një koalicion për të apeluar veprimet dhe vendimet e koalicioni;
Të prezantohet mundësia që kandidatët individualë të paraqesin ankesa ndaj ndarjes së mandateve brenda një liste;
Të sqarohet përkufizimi i pragut për zgjedhjet lokale në kuptimin që ai zbatohet në nivel lokal, nëse është e nevojshme përmes një rregulloreje;
Të rishikojë nenin 67 (4) të Kodit Zgjedhor në mënyrë që të zvogëlohet numri minimal i kandidatëve për tu paraqitur në listë;
Të konsiderohet që të bëhet një përjashtim nga pragu kombëtar 1% për pakicat kombëtare.
Të vazhdojë adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it lidhur me zgjedhjet.
© Argumentum.