Kyeministri Edi Rama raportoi sot për misionin e drejtimit njëvjeçar të OSBE-së duke theksuar se pas shumë përpjekjesh në vakumin e krijuar prej moszgjedhjes së katër sekretarëve të organizatës, arriti konsensusin mes vendeve anëtare për zgjedhjen e tyre, në prag të mbylljes së mandatit të kryesimit. “Një vit tejet sfidues dhe një debutim absolutisht dinjitoz i Shqipërisë në krye të OSBE-së”, vlerësoi kryeministri Edi Rama.
“Kur Shqipëria mori kryesinë e OSBE-së në janar të gjithë folën për një organizatë që ishte në vështirësi. Tani mundem vetëm të konfirmoj atë ç’ka parardhësit e mi kanë ndjerë”, tha kryeministri Rama duke nisur fjalën në Ministerialin e OSBE-së.
“Ne jemi në një krizë në përkeqësim. Kjo nuk është një situatë që i është shkaktuar organizatës nga vetë ajo, nga struktura apo njerëzit e saj, pasi ata të gjithë duhen përgëzuar për angazhimin e palodhur për të përmirësuar sigurinë gjithëpërfshirëse të Europës”, u shpreh ai., duke vijuar se duhen parë gjërat në sy.
“Kjo gjendje është shkaktuar vetëm nga ne, 57 vendet anëtare të OSBE. Supozohej të kishim një vizion të përbashkët të krijuar në Helsinki, të krijuar në Paris, në Stamboll dhe në Astana për një Europë, demokratike, në paqe dhe të bashkuar. Ky vizion po largohet gjithnjë e më tepër prej nesh sepse parimet tona nuk respektohen, sepse angazhimet tona nuk zbatohen, sepse divergjencat në pikëpamjet tona po rriten, sepse njëpalshmëria shpesh zgjidhet mbi ndërkombëtaren, sepse përballja zgjidhet përmbi bashkëbisedimin, sepse përçarja zgjidhet përmbi bashkëpunimin”, tha Rama.
Kjo së paku, theksoi Rama, “duhet të na shqetësojë thellësisht të gjithëve”.
Rama shprehu shqetësimin nga ajo që e cilësoi “kriza e përhershme e bashkëpunimit, e ç’ka nënkupton ajo në nivel lokal”.
“Nënkupton që kemi dështuar të trajtojmë si duhet dobësitë tona e të përmirësojmë veten tonë apo të trajtojmë sfidat e kërcënimet me të cilat përballet shoqëria jonë nga terrorizmi, ndryshimi i klimës, apo të mbështeturit të gjithë të drejtat e njerëzve tanë, të rinjtë, të vjetërit, personat në nevojë”, u shpreh ai.
Rama solli shembullin e krizës në Bjellorusi.
“Shihni se ç’ka ndodhur në Bjellorusi dhe si krejt papritur OSBE mbeti si një instrument i fundit, ndërkohë që megastrukturat e tjera dukeshin të padobishme. Pse kështu? Sepse është mjaft e trishtueshme, por çfarëdo që ndodh jashtë BE-së, ngre menjëherë barrikadat midis vendeve të BE-së, NATO-s dhe Rusisë, por jo vetëm kaq. Bëhet menjëherë një çështje e një shkak shumë më të gjerë. Ndërkohë që vetë çështja e njerëzve të zakonshëm, shqetësimet e tyre, aspiratat, të drejtat e tyre, liritë e tyre në vendin e krizës, marrin apo bien në rrezik “de facto””, tha Rama , i cili shtoi se, “nuk mund të vazhdojë kështu pafundësisht”.
“Kjo duhet të ndryshojë dhe sa më shpejt aq më mirë”, theksoi ai.
“Organizata jonë nuk mund të punojë në qoftë se qëndrimi i Luftës së Ftohtë nuk lihet pas krahëve njëherë e përgjithmonë. Është shumë më e lehtë ta thuash sesa ta bësh natyrisht, por së paku duhet thënë e duhet diskutuar. Në asnjë hapësirë tjetër përveç se kësaj hapësire, hapësirës së OSBE-së kjo mund të diskutohet e me shpresë mund të ndodhë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama dha detaje të punës në lidhje me Ukrainën.
“Në krye të vitit thashë se konflikti i Ukrainës ishte prioriteti i kryesisë sonë e ajo nuk ka ndryshuar e nuk mund të ndryshojë. Është bërë një përparim i caktuar, por ka ende rrugë për t’u bërë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse të paqtë të konfliktit përfshi edhe sfidat që mbeten për Krimenë”, u shpreh Rama.
“Në vizitën timë të parë si kryetar i radhës në Ukrainë unë pashë me sytë e mi sesi konflikti kishte ndikuar popullsinë, por gjithashtu pashë ndryshimin pozitiv që mund të sjellë OSBE-ja. Kemi parë se progresi i mëtejshëm është i mundur kur ka vullnet politik siç është treguar edhe nga lirimi e shkëmbimi i ndërjelltë i të dënuarve dhe më së fundi masat për të forcuar armëpushimin që hynë në fuqi në 27 korrik”, theksoi Rama.
Më tej, Rama tha se “kjo ka sjellë si rezultat nivele të pashembullta të ulëta të shkeljes së armëpushimit në terren edhe pse viktima vazhdon të ketë për shkak të minave dhe objekteve shpërthyese”.
Gjithashtu, vijoi Rama, situata humanitare mbetet shqetësuese dhe është për të ardhur keq që deri tani nuk ka qenë e mundur që palët të ndërtojnë mbi këtë angazhim të prekshëm për të bërë përparime të tjera në aspekte të tjera të marrëveshjeve të Minskut.
“Largimi nga marrëveshjet e MINSK-ut nuk është gjetja e rrugës drejt së ardhmes”, theksoi Rama.
Duke folur për situatën në Bjellorusi, Rama tha se “gjërat nuk janë përmirësuar për fat të keq, gjatë katër muajve të shkuar sidomos sa i takon shkeljes së vazhdueshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut”.
“Humbjet e jetës dhe plagosjet kanë qenë posaçërisht shqetësuese. Në gusht së bashku me homologen time ministren An Linde, e cila ka mbërritur edhe në Tiranë dhe është këtu me ne, u ofruam të vizitonim Bjellorusinë e të lehtësonim dialogun. Ishte një ofertë për të ndihmuar Bjellorusinë, por kjo ofertë u hodh poshtë”, u shpreh ai.
“I mbetem pikëpamjes sime që OSBE-ja si organizatë gjithpërfshirëse mbetet e mirëpozicionuar dhe e gatshme për të bërë rolin e saj për të ndihmuar Bjellorusinë. Shpresoj që Bjellorusia ta rimarrë në konsideratë këtë ofertë”, – tha Rama.
<iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fedirama.al%2Fvideos%2F419774076056776%2F&show_text=0&width=560″ width=”560″ height=”315″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share” allowFullScreen=”true”></iframe>