Ambasada shqiptare në Pekin organizoi një pritje me rastin e Ditës Kombëtare të Shqipërisë. Në këtë veprimtari merrnin pjesë titullarë të trupit diplomatik në Kinë, miq dhe dashamirës të Shqipërisë, shqiptarë që punojnë e studiojnë në Kinë etj. Nderonte gjithashtu me praninë e tij edhe zv.ministri i Jashtëm i Kinës, z. Qin Gang.
Në fillim të fjalës së vet të rastit, ambasadori i Shqipërisë në Kinë, z. Selim Belortaja, vlerësoi palën kineze për efikasitetin në kontrollin e epidemisë dhe në rikthimin e jetës normale, çka bëri të mundur edhe organizimin e një pritjeje të tillë. Ai gjithashtu falënderoi Kinën për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë në këtë periudhë të vështirë, një shembull i solidaritetit ndërkombëtar.
Më tej në fjalimin e vet, ambasadori Belortaja tha se 28 Nëntori është një ditë e shënuar për Shqipërinë, sepse është dita e themelimit të shtetit modern shqiptar. Ai vuri në dukje se kombi shqiptar është një ndër më të vjetrit në Europë dhe theksoi se Shqipëria zë sot një vend të respektuar në bashkësinë ndërkombëtare.
Përfaqësuesi i diplomacisë shqiptare në Kinë kujtoi gjithashtu se sivjet është 71-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-kineze dhe se Shqipëria është ndër vendet e para që njohu Republikën Popullore të Kinës. Ai shprehu respektin e vet më të thellë për të gjithë ata që kanë dhënë ndihmesë në forcimin e miqësisë ndërmjet dy popujve. Z. Belortaja vuri në dukje se lidhjet ndërmjet të dy vendeve në epokën e re kanë ardhur duke u forcuar, duke përfshirë marrëdhëniet politike, ekonomike, kulturore e arsimore, shkëmbimet njerëzore etj.
Ambasadori shqiptar përgëzoi Kinën për sukseset dhe arritjet e mëdha në rrugën e vet të zhvillimit. Ai shprehu besimin se nisma “Një brez, një rrugë” dhe mekanizmi i “Bashkëpunimit 17+1” janë dy platforma të hapura që i ofrojnë edhe Shqipërisë mundësi shumë të mira zhvillimi
Në fund z. Belortaja shprehu besimin dhe urimin për një të ardhme të ndritur të marrëdhënieve shqiptaro-kineze.
Pritja kaloi në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore. /Cri
© Argumentum