Nga Dr.Jorgji KOTE
Takimi i 27-të virtual i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të 57 vendeve anëtare më 3-4 dhjetor 2020 shënoi praktikisht përfundimin e kryesisë sonë të radhës të OSBE-së 2020. Pa dyshim, ngjarje e shënuar, me mundësi të mëdha për politikën e jashtme, diplomacinë dhe imazhin e vendit. Le ta themi qysh në fillim se vlerësimi nga shumica parlamentare dhe diplomacia jonë ishte në lartësinë e duhur, me ekipe të kualifikuara diplomatësh, si në Vjenë edhe me Task-Forcën e ngritur në MPJ-në Tiranë. I kam njohur këto mbi dy dekadat e fundit në bashkëpunimin nga afër si diplomatë pjesëtarët e tij në Tiranë, Bruksel, Berlin dhe gjetkë; janë vërtet diplomatë me përvojë, me disa mandate jashtë vendit dhe në poste drejtuese në Tiranë. Qenia në krye e Kryeministrit dhe si ministër i Jashtëm ishte plus tjetër për një vizibilitet më të madh. Ca më tepër kur kemi dhe një ministër të Jashtëm sui generis “në detyrë” me besueshmëri dhe staturën më të ulët të 100 viteve të fundit.
Aspak për të nënvleftësuar punën dhe rezultatet, por më tepër për të nxjerrë mësime dhe përfundime për të ardhmen, po ndalemi me sy kritik në presidencën tonë të OSBE-së, e cila mund të quhet e pafat, sepse:
Së pari, ende pa e marrë këtë kryesim, vendin tonë e “shkundi” tërmeti i 26 nëntorit me pasojat e njohura. Më vonë na përfshiu kriza e koronës, e cila vazhdon, duke e lënë në hije këtë kryesim; si për problematikën e tyre, ashtu edhe moszhvillimin e shumë veprimtarive reale, të cilat do të evidentonin më shumë e më mirë presidencën tonë me veprimtari anësore, ekspozita, koncerte, manifestime etj.
Së dyti, të mos harrojmë se nuk është më OSBE-ja e 20 viteve më parë. Roli dhe efikasiteti i saj janë zbehur ndjeshëm, sidomos pas vitit 2004, kur vendet ish-komuniste u anëtarësuan në BE, KiE, NATO, FMN, Bankën Botërore, OBT etj. Deri atëherë OSBE-ja ishte praktikisht forumi më i gjerë i dialogut Lindje-Perëndim; për më tepër, ishte dhe mbetet i vetmi bashkë me KiE-në ku bën pjesë Rusia dhe ish-republikat sovjetike.
Së treti, për pasojë, ka dublime dhe mbivendosje rolesh dhe kompetencash ndërmjet OSBE-së dhe grupimeve të lartpërmendura. Tanimë, funksionet e tri “shportave” të saj të Aktit Final të Helsinkit të vitit 1975 janë zëvendësuar apo kryhen me efikasitet më të madh nga BE, KiE, NATO, Banka Botërore dhe FMN, nisma rajonale etj. Madje, dhe monitorimi i proceseve zgjedhore nga ODIHR, specialiteti i padiskutueshëm i OSBE-së tani bëhet dhe nga të tjerët; sikurse të drejtat e njeriut garantohen dhe zgjidhen juridikisht në Gjykatën Europiane me të njëjtin emër; ndërsa aspektet kushtetuese të demokracisë dhe shtetit të së drejtës adresohen dhe u jepet zgjidhje nga Komisioni i mirënjohur i Venecias; dhe pse këshillimore, opinionet e tij janë më shumë se “ligje” për vendet anëtare.
Së katërti, meqenëse është krijuar dhe funksionon mbi baza vullnetare dhe pa status juridik ndërkombëtar, vendimet e OSBE-së nuk janë detyruese; veç kësaj, ato merren vetëm me konsensus, proces ky gjithnjë e më i vështirë.
Së pesti, krizat dhe konfliktet e shumta të 10 viteve të fundit i kalojnë ku e ku limitet dhe “këllqet” e OSBE-së për ndërhyrje dhe zgjidhjen e tyre. Madje ato janë bërë të vështira edhe për NATO-n e BE-në. OSBE nuk arriti të paktën të dërgonte një ndërmjetësues në Minsk pas zgjedhjeve të kontestuara, siç bëri më 1997 me ish-Kancelarin Vranicki në vendin tonë! As përgjigje nuk denjoi t’i kthente Llukashenko, le më të tjera! Nuk mundi të takojë as lideren e opozitës përballë trysnisë nga Minsku.
Së gjashti, gjatë këtij viti edhe vetë OSBE-ja u përfshi nga kriza e drejtimit. Të katër drejtuesve të saj më të lartë iu mbaroi mandati; u deshën demarshe të panumërta muajt e fundit derisa më në fund me kompromiset e rastit u zgjidh ky problem madhor, një “dhimbje e madhe koke” për presidencën tonë të OSBE-së.
Së shtati, burimet njerëzore dhe financiare të OSBE-së janë fare modeste dhe të pakrahasueshme me organizatat e tjera. Ka gjithsej rreth 4000 zyrtarë, kryesisht në terren, kur vetëm Komisioni Europian në Bruksel numëron rreth 30.000 të tillë, pa llogaritur Euro-Parlamentin, Këshillin dhe Shërbimin e Jashtëm! Ndërsa buxheti është “pikë uji në oqean” kundrejt atij të BE-së.
Gjithsesi, çka u përshkrua më lart është vetëm gjysma e tablosë. Po aq e pafat, madje mjerane ishte presidenca shqiptare sidomos në “fushën” e saj plot kriza dhe sfida të brendshme. Madje këto të fundit ishin përcaktuese, sepse gjithçka fillon nga vetja, sidomos lidhur me besueshmërinë politike. Vështirë të gjesh një vend tjetër që të ketë kryesuar OSBE-në në një gjendje aq kaotike dhe problematike të brendshme si Shqipëria. Dihet tashmë se trashëguam një krizë të rëndë politike dhe institucionale, me një Kuvend legjitim nga halli por me deficite dhe mungesa demokratike, me opozitën jashtë tij, me pushtet lokal pothuajse tërësisht socialist për shkak të bojkotit të opozitës kryesore, me debate dhe polemika të ashpra e të papajtueshme midis shumicës dhe opozitës jashtëparlamentare etj.
Veç kësaj, ndonëse e “futëm në xhep” një “Po” në parim në mars, kishim 15 kushte që na qëndrojnë mbi kokë si “shpata e Demokleut”. Mirëpo këto kushte janë thelbi i vetë OSBE-së. Se, çfarë është ajo në fund të fundit? Organizatë rajonale, ku janë 27 vendet anëtare dhe 6 kandidate të BE-së, Britania e Madhe, SHBA-të, Kanadaja, Turqia, Rusia dhe 14 ish-republikat sovjetike. Mirëpo, shtyrja e çeljes së negociatave është shuplakë e rëndë për imazhin dhe besueshmërinë e vendit tonë dhe të presidencës së saj të OSBE-së. Askush nuk e dëshironte, ca më pak presidenca gjermane e BE-së, e cila bëri të pamundurën, por lidershipi ynë sidomos muajt e fundit nuk “e vuri ujin në zjarr” dhe “me dashje apo pa dashje u “bëri dalje” negociatave.
Po gjatë këtij viti, vazhdoi “lufta e dekreteve, madje dhe e dekoratave” me Presidentin dhe u dhanë opinionet nga “Venecia” për disa ankesa lidhur me Presidentin, krijimin e GJK dhe GJL, ligjin e anti-shpifjes dhe tani së fundi mbi Kodin Zgjedhor, “molla e madhe e sherrit” që helmoi edhe më shumë marrëdhëniet me opozitën reale të vendit. Imagjinoni Presidencën tonë të OSBE-së, për të cilën zgjedhjet e lira e të ndershme janë ADN-ja e saj, që nuk do t’ia dijë as për thirrjet e ndërkombëtarëve dhe vepron nxitimthi pa pritur as opinionin e “Venecias”!
Po ashtu, Ligji i Medias, që u kundërshtua edhe nga vetë OSBE-ja, duke krijuar një situatë disi komike e të paprecedentë, kur ajo kërkon rregull nga kryesuesja e saj, kur në fakt duhej të ndodhte e kundërta.
Problemi tjetër që i krijuam me duart tona OSBE-së ishin ndryshimet kushtetuese të njëanshme 30 korrikut, të cilat në fakt komprometuan marrëveshjen konsensuale të 5 qershorit, e cila plotësonte rekomandimet e OSBE-së dhe ndër tre kushtet bazë për negociatat. Nuk po hyjmë te ekonomia, azili, krimi, korrupsioni, informaliteti, pagat, klima e biznesit etj., sepse gjendja do të bëhej edhe më e zymtë, duke lënë në hije dhe arritjet e kësaj Presidence.
Si përfundim, meqenëse situata dhe kriza të tilla kanë qenë dhe me sa duket do të mbeten bashkudhëtaret tona, mbase është momenti të jemi disi më të rezervuar në synimet tona për kryesimin e organizmave të ndryshme ndërkombëtare. Pa mohuar rolin dhe vlerat përkatëse, përvoja jonë tregon se ato mund të na kthehen dhe në bumerang; sepse të keqen dhe në imazh e kemi te vetja. Mirëpo, siç ka thënë ish-kryeministri emblematik britanik William E. Gladstone, “parimi i parë i politikës së jashtme është mirëqeverisja brenda”. Ndaj, hë për hë, përpjekjet për kryerjen e detyrave dhe punëve të shtëpisë që i “kemi çorap” do të ishin shumë më efektive se lobingjet dhe kandidaturat në organizata ndërkombëtare.
Ndonëse, siç u përmend në fillim të shkrimit, diplomacia jonë i ka mundësitë dhe kapacitetet për misione të tilla, ajo ka fare pak shanse për sukses me një mjedis dhe politikë të tillë të brendshme si këto 30 vitet e fundit. Kësisoj, në vend që të jetë në sulm për të treguar më të mirat e vendit, diplomacia jonë detyrohet të kthehet në mbrojtje, me përgjigje të stamposura e të porositura ndaj pyetjeve bezdisëse “pse kështu dhe pse ashtu”, duke humbur kohë, energji dhe dinamikë për të justifikuar e mbuluar të këqijat e politikave tona. Sepse, kur mungojnë inputet politike, sado mirë ta bëjë përpunimin e procesit diplomacia, produkti do të jetë defektoz, jo tërheqës e bindës. Dhe atëherë, “në vend që t’i vëmë vetullat, i nxjerrim sytë” vetes përpara botës./gsh