Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për gazetarin Lutfi Dervishi, tha se në 30 vite politika e vendit nuk ka përmbushur aspiratën e qytetarëve për integrimin në Bashkimin Europian.
I pyetur për rolin e tij në politikë, që nga aktivizimi si student i Lëvizjes së Dhjetorit, Presidenti Meta tha se “në 30 vjet, Shqipëria nuk është vonuar asnjë sekondë në procesin e integrimit europian për shkak të Ilir Metës”.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta tha se qeveria është përgjegjëse shtyrjen e çeljes së negociatave me BE-në. Kreu i shtetit tha se 30 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist vendi nuk ka mundur të kapërcejë tranzicionin e tejzgjatur, ndërsa e përjashton veten nga përgjegjësia e klasës politike.
“Po të kemi parasysh një bilanc 30 vjeçar i cili është zhgënjyes në shumë aspekte. Pas 30 vjetësh nuk jemi aty ku duhet të ishim. Ka qenë një proces ulje ngritjesh por ajo që na ka dëmtuar më shumë është braktisja e shumë prej politikanëve e atyre idealeve të dhjetorit. Nuk ka asnjë arsye për të qenë krenar sot. Në 30 vite kam shumë arsye për të qënë reflektues ndaj shumë gjërave që vet mund ti kisha bërë më mirë. Ajo që jam sot krenar për veten time si një ish student i dhjetorit jam për këto gjëra që në 30 vjet Shqipëria asnjë sekond nuk është dhunuar në procesin e integrimit europian për shkak të Ilir Metës. Në të gjitha pozicionet që Ilir Meta ka patur. Ilir Meta ka dhënë gjithmonë zgjidhje politike për të zhbllokuar proceset e integrimit europian. Gabojnë të gjithë ata që për pushtetin personal e kanë vonuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Sot ne kemi një kryeministër që po bllokon integrimin e Shqipërisë në mënyrë të qëllimshme. Shkeli marrëveshjen e 5 qershorit në mënyrë të qëllimshme, që kërkontë vërë dorë mbi zgjedhjet e ardhshme në mënyrë të qëllimshme edhe pse e di që kjo ka pasoja fatale për ti shtyrë negociatat.” – theksoi Meta në Përballë.
Lidhur me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, kreu i shtetit tha se “ajo që, mund t’ju them me bindje të plotë është: Unë si President i Republikës, për shkak të përvojës sime në më shumë se tre vjet e pak President, mund t’ju them si Shqipëria do të ketë një drejtësi funksionale, një Prokurori funksionale, Gjykatë Kushtetuese funksionale, Gjykatë të Lartë funksionale, sistem gjyqësor funksional, menjëherë pas 25 prillit. Sepse gjithçka në Shqipëri, është nën presionin e një force, dhe të një dore të vetme, dhe brenda sistemit të drejtësisë.Në këtë drejtim përsa u takon përpjekjeve të mia, ju e dini shumë mirë se nëse do të kishte pasur vullnet për bashkëpunim nga të gjithë aktorët e tjerë, nuk do të kishte ngelur Shqipëria, një minutë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, në më shumë se tre vite e fundit. Unë, do të bëjë detyrën time edhe ne të ardhmen, në mënyrë tepër transparente me qytetarë dhe me opinionin publik. Por, në kushtet e një presioni të tillë politik siç është edhe vetë KED-i, sepse gjithë instrumentat, për verifikimin e këtyre kandidatëve dhe çdo gjë është e kontrolluar nga qeveria, nga ekzekutivi kjo është një gjë shumë e qartë, siç ka qenë edhe në rastet e kaluara, Nuk pres drejtësi të pavarur, funksionale, të besueshme, përpara 25 prillit.”