Presidenti Meta ka reaguar duke denuar ashper dhunen e ushtruar mbrëmjen e sotme nga policia e shtetit ndaj Kryeredaktorit të “KOHA JONË” Qamil Xhani
“Dhunimi i kryeredaktorit të “Koha Jonë”, z.Qamil Xhani, pranë ambienteve të redaksisë dhe ndalimi i tij për disa orë, është tregues se dhuna ndaj përfaqësuesve të medias dhe shoqërisë civile është e frymëzuar dhe e organizuar në nivelet më të larta të Qeverisë dhe Policisë“, shprehet Meta ne reagimin e tij.
Reagimi i plotë i Presidentit te Republikës, Ilir Meta;
“Dënoj me forcë përsëritjen e rasteve të dhunës së shëmtuar dhe të dënueshme, të ushtruar ndaj gazetarëve, nga ana e efektivëve të caktuar të Policisë së Shtetit.
Dhunimi i kryeredaktorit të “Koha Jonë”, z.Qamil Xhani, pranë ambienteve të redaksisë dhe ndalimi i tij për disa orë, është tregues se dhuna ndaj përfaqësuesve të medias dhe shoqërisë civile është e frymëzuar dhe e organizuar në nivelet më të larta të Qeverisë dhe Policisë.
Përsëris thirrjen publike dhe e nxis Prokurorinë të reagojë menjëherë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore, pa më të voglën zvarritje, frymëzuesit dhe autorët e dhunës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias.
I ftoj të gjitha organizatat ndërkombëtare të gazetarëve të reagojnë në mbrojtje të kolegëve të tyre në Shqipëri.
I garantoj të gjithë gazetarët e lirë dhe të pavarur se, NUK DO TË LEJOJ KURRË INSTALIMIN E MODELIT LUKASHENKO NË SHQIPËRI”, shprehet Presidenti Ilir Meta.
© Argumentum