Pak pas orës 18:00 të mbrëmjes së sotme ka nisur protesta e katërt për vrasjen e Klodian Rashës nga një efektiv policie, që sikundër protestat e tri ditëve pararendëse, është njoftuar përmes rrjeteve sociale. Një numër i konsiderueshëm protestuesish kanë nisur marshimin nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
Nisur nga përplasjet e regjistruara në protestat e mëparshme për të garantuar rendin dhe sigurinë në terren janë të angazhuar rreth 1000 efektivë.
Në akset që lidhen me Ministrinë e Brendshme dhe Kryeministrinë pika kontrolli nga policia për të parë nëse protestuesit kanë sende të forta apo mjete piroteknike.
Prej tri ditësh në kryeqytet dhe në disa qytete të tjera të vendit është protestuar duke kërkuar drejtësi pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.
Protestat shpesh kanë qenë të dhunshme dhe janë shoqëruar me shkatërrim dhe dëmtim të institucioneve publike nga ana e protestuesve që kanë qenë kryesisht të rinj, ndërkohë që ka pasur edhe të plagosur nga radhët e policisë dhe protestuesve.