Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri apelon edhe një herë që gazetarët në Shqipëri të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre pa asnjë kërcënim dhune, ngacmimi dhe frikësimi.
Në reagimin e BE-së theksohet gjithashtu se gazetarët duhet që të kenë akses në mënyrë të plotë në informacione.
“BE përsërit se duhet të ketë zero tolerancë për kanosjet dhe kërcënimet ndaj medias. Është thelbësore që gazetarët në Shqipëri të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre pa asnjë kërcënim dhune, ngacmimi dhe frikësimi, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në gjithë informacionin”, thuhet në reagimin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Më heret dhe vete Komisioni Evropian ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve gjatë protestave që po zhvillohen prej 5 ditësh për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështjet e zgjerimit dhe fqinjësisë së BE-së, Ana Pisonero përmes një qëndrimi për Euronews Albania thekson se kërcënimi dhe intimidimi i gazetarëve është i papranueshëm.
“Paketa e Zgjerimit për 2020 tregon qartazi nevojën për të pasur zero tolerancë ndaj frikësimeve dhe kërcënimeve kundrejt gazetarëve dhe medias në rajon.
Është thelbësore që gazetarët në Shqipëri të jenë të aftë ta bëjnë punën e tyre pa qenë të kërcënuar nga dhuna, sulmet apo intimidimet, për të siguruar që qytetarët kanë akses ndaj informacionit”, thuhet në reagimin e KE.