Qeveria e sapo zgjedhur e Malit të Zi ka një qasje të qartë pro-perëndimore dhe do të jetë një partner i besueshëm në përmbushjen e detyrimeve të saj sipas agjendës Euro-Atlantike, tha të hënën zëvendës kryeministri i vendit, Dritan Abazoviq, gjatë bisedës me të dërguarin e posaçëm të Departamentit të Shtetit për Ballkanin dhe zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Matthew Palmer.
Siç njoftoi zyra e qeverisë, zoti Abazoviq, vuri në dukje, rëndësinë e mbështetjes që SHBA-të vazhdimisht i japin Malit të Zi, në rrugën e demokratizimit dhe forcimit të institucioneve.
“Qëllimi kryesor i qeverisë së re është forcimi i shtetit ligjor dhe krijimi i institucioneve të forta. Mali i Zi mbetet i përkushtuar për bashkëpunim me partnerët perëndimorë si dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal, në mënyrë që të krijojë një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë”, tha zoti Abazoviq.
Zoti Abazoviq e njoftoi zotit Matthew Palmer edhe mbi kompetencat e zëvendës kryeministrit të ngarkuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbi plan-veprimin e qeverisë së re në këtë drejtim.
Pas interesimit të zotit Palmer për kursin e politikës së jashtme të qeverisë së re, zëvendës kryeministri Abazoviq përsëriti përpjekjet e forta të qeverisë së Malit të Zi për të përmbushur të gjitha detyrat nga agjenda Euro-Atlantike, duke theksuar se Mali i Zi mbetet i përkushtuar anëtarësimit në NATO.
“Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq do të udhëtojë nesër në Bruksel si pjesë e vizitës së tij të parë zyrtare dhe pritet të takojë përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ai do të konfirmojë më tej kursin e politikës së jashtme të Malit të Zi“, thuhet në njoftimin e zyrës së qeverisë së Malit të Zi.