Në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme u zhvillua një aktivitet i kufizuar në kuadër të 100-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe 65 vjetorit të anëtarësimit në Kombet e Bashkuara.
Në aktivitetin e drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ, Armand Skapi, ishin të ftuar edhe Koordinatorja Rezidente e OKB në Shqipëri, Fiona McCluney, delegatja rinore nga UNAA që mori pjesë në punimet e sesionit të AP 75, si dhe një numër i kufizuar drejtuesish të MEPJ.
Gjatë fjalës së tij, Skapi nënvizoi rolin që Shqipëria luan aktualisht në kuadër të multilateralizmit. Pikërisht, duke besuar fort në këtë instrument të rëndësishëm global, Shqipëria është bërë pjesë e shumë nismave ndërkombëtare, jep kontributin e saj për ruajtjen dhe forcimin e paqes, sigurisë botërore dhe nxit zhvillimin.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja McCluney deklaroi se e mbështet plotësisht kandidaturën e Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, për periudhën 2022-2023.
Në këtë aktivitet i cili u shoqërua me një video material dhe ekspozitë dokumentare historike, u prezantua edhe libri historiko-diplomatik i MEPJ “Diplomacia shumëpalëshe e Shqipërisë, një histori në përparim e sipër, 1920-2020”.