Befasi në fund të vitit: BE dhe Kina me sa duket duan të përfundojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ekonomike. Firmat e BE do të përfitonin.
Bashkimi Evropian dhe Kina kanë rreth shtatë vjet që negociojnë për një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve. Tani pak para përfundimit të Presidencës së Këshillit Gjerman në Bashkimin Evropian, duket i mundur një dakordim. Ka pasur një pajtim politik për një marrëveshje tregtare që duhet të përmirësojë kushtet e konkurrencës për kompanitë evropiane në Kinë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel dhe Pekin. “Negociatat janë në fazat e tyre të fundit”, tha Wang Wenbin, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze. Të premten, ambasadorët e BE të 27 vendeve anëtare diskutuan marrëveshjen e mundshme.
Kina ndërron mendje
Teksti përfundimtar, i cili duhet të përmbajë të gjitha kushtet ligjore, ende duhet të hartohet. Në parim, marrëveshja e bën më të lehtë për kompanitë evropiane që të mbajnë zyra në Kinë ose të blejnë kompani kineze. Praktika e deritashme e kompanive kineze, për të detyruar transferimin e njohurive dhe teknologjisë nga vendet perëndimore, do të kufizohet. Ndihma shtetërore e Kinës për kompanitë e saj duhet të jetë e kufizuar.
Pala kineze deri tani ka qenë mjaft hezituese në negociata dhe ka kërkuar qasje për kompanitë kineze në fusha të tilla si energjia dhe furnizimi me ujë në BE. BE e kishte refuzuar deri tani këtë dhe pati filluar të shqyrtojë në mënyrë më kritike se më parë për rëndësinë e tyre strategjike blerjet kineze të kompanive në Evropë. Përballë luftës tregtare midis SHBA dhe Kinës, me tarifa ndëshkuese dhe sanksione, udhëheqja komuniste e Pekinit ishte tani me sa duket e gatshme t’i hapej më tej BE, me 450 milionë klientët e tij. Për herë të parë këtë vit, Kina është partneri më i madh tregtar i BE, përpara SHBA.
Gjermania ushtron presion
Kancelarja gjermane Angela Merkel ishte angazhuar shumë për reformimin e marrëdhënieve tregtare me Kinën. Një takim i nivelit të lartë të BE me Presidentin Kinez Xi Jinping qe planifikuar të bëhej momenti kryesor i Presidencës së Këshillit Gjerman të gjashtë muajve të fundit. Takimi u anulua për shkak të pandemisë. Sidoqoftë, puna për marrëveshjen tregtare me sa duket vazhdoi të ishte e suksesshme. Kjo do të ishte marrëveshja e dytë që do të arrihej nën Presidencën Gjermane të Këshillit Evropian. Një marrëveshje për njohjen e emërtimeve të origjinës u nënshkrua në verë. Angela Merkel ka vite që ngul këmbë për marrëdhënie të mira ekonomike me Kinën. Gjermania është eksportuesi më i madh i mallrave në Kinë nga Bashkimi Evropian. Njëkohësisht, diktatura njëpartiake e Kinës, me orientimin e saj të ekonomisë së tregut, shihet nga BE si “rival sistemor”, “konkurrent ekonomik” dhe partnere në disa fusha.
Eleminimi i punës së detyruar në Kinë
Një pengesë kryesore në negociata ishte eleminimi i punës së detyruar në Kinë, të cilën e ka kërkuar BE. Edhe kancelarja Merkel gjithashtu thuhet se ka këmbëngulur për këtë personalisht. Kina duhet të njohë dhe zbatojë detyrimisht standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) përpara se të hyjë në fuqi një marrëveshje tregtare. Parlamenti Evropian, i cili duhet ta miratojë marrëveshjen me Kinën, i kushton një rëndësi të madhe kësaj.
Internimi i vazhdueshëm dhe puna e detyruar për pakicën ujgure duhet të ndalet, kërkon eurodeputeti i Gjelbër dhe eksperti i Kinës Reinhard Bütikofer. “Parlamenti Evropian u bën thirrje firmave evropiane të ndërpresin marrëdhëniet e biznesit me partnerët kinezë, nëse ata inkurajojnë abuzimet me të drejtat e njeriut,” tha Bütikofer të enjten.
Në mendime në Uashington?
Diplomatët në Bruksel thonë se nëse një marrëveshje me Kinën arrihet para fundit të vitit, kjo mund t’i bëjë më të ndërlikuara bisedimet e para të BE me Presidentin e ri të SHBA, Joe Biden. Demokrati Biden, i cili do ta marrë detyrën në 20 janar, fillimisht dëshiron t’u përmbahet tarifave ndëshkuese të SHBA kundër Kinës. Biden dëshiron që hë për hë t’i përmbahet edhe kursit kundër Pekinit të ashpërsuar nga paraardhësi i tij Donald Trump. Por në të njëjtën kohë, një qeveri Biden dhe BE duan të përmirësojnë përsëri marrëdhëniet transatlantike dhe marrëdhëniet tregtare.
Marrëveshja për mbrojtjen e investimeve ka për qëllim të mbulojë prodhimin industrial, shërbimet financiare, transaksionet e pasurive të patundshme dhe industrinë e ndërtimit, si dhe transportin detar dhe ajror.