Presidenti rus, Vladimir Putin, do ta marrë vaksinën e vendit të tij kundër koronavirusit, Sputnik V.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të dielën se presidenti, së shpejti, “do të njoftojë vetë, në lidhje me vendimin”.
Një ditë më herët, Ministria e Shëndetësisë e Rusisë ka miratuar përdorimin e vaksinës te personat mbi 60 vjeç.
Ministria tha se vaksina është më shumë se 90 për qind efektive për këtë grup-moshë.
Putin është 68 vjeç.
Gjatë një konference për media më 17 dhjetor, Putin ka thënë se do ta marrë vaksinën pasi të zgjidhen “të gjitha çështjet formale”.
Rusia e ka miratuar vaksinën Sputnik V më 11 gusht, duke e bërë atë vaksinën e parë të koronavirusit që fiton miratimin zyrtar./rel