Nga Genc Mlloja
Në prill të vitit 1990 ishin vetëm pesë vëzhgues ushtarakë ata që hodhën hapin e parë në angazhimin ndërkombëtar të Kinës në misionet paqëruajtëse nën flamurin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ky mision në kuadër të Organizatës së Mbikqyrjes së Armëpushimit të OKB-së (UN Truce Supervision Organization) shënon pikënisjen e një angazhimi të ri të rëndësishëm dhe shumë delikat të Kinës, e cila në dekadën e fundit të shekullit 20-të po i shfaqej hap pas hapi në mënyrë të vendosur botës si një ndër forcat më të mëdha të ardhshme në skenën botërore kur po shkohej drejt mijëvjecarit të ri.
Ky vend, më i madhi i Azisë dhe më i populluari në botë, po i tregonte botës se tashmë do të luante një rol më aktiv dhe ndërveprues në marrëdhëniet ndërkombëtare jo vetëm ekonomikisht pas hapjes strategjike ndaj botës të inicuar nga Ten Hsiao Pini në vitin 1978, por edhe në të gjithë kuadrin e veprimtarive të tjera kryesisht në kuadrin e OKB-së dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare. Shpërbërja e ish- Bashkimit Sovjetik e pasuar nga një detantë e përkohshme midis dy ish- supërfuqive të asaj kohe, SHBA e BS, çka i shkonte për shtat Europës e më së shumti Bashkimit Europian, që po i zgjëronte rradhët e tij, krijoi një konfiguracion të ri të skenës botërore ku Kina, anëtare e përhershme e OKB-së, po ‘thirrej’ nga historia për angazhimin e saj më të madh në ruajtjen e ekuilibrave në botë në shërbim të paqës dhe sigurisë ndërkombëtare përballë zhvillimeve të vrullshme, veçanërisht me ndryshimet e mëdha në vendet e Europës Lindore dhe Jugore, si dhe në Gadishullin e Ballkanit, ku ndodhet edhe Shqipëria.
Tashmë gjithnjë e më shumë askush nuk e kishte ‘luksin’ të anashkalonte Pekinin përfshi edhe për çështje të mëdha si të çarmatimit dhe ruajtjes dhe vendosjes së paqës në zona të nxehta të goditura nga konflikte të ndryshme lokale dhe rajonale shumica e të cilave ishin pak a shumë pasojë e rivalitetit të fuqive të mëdha me kosto të lartë për popullsinë e pafajshme në viktima dhe varfëri te tejkasshme deri ne uri.
Në një situatë të tillë për botën dhe OKB-në si tempulli përfaqësues i tërë planetit erdhi si një ‘dhuratë’ gatishmëria e Kinës për tu angazhuar në misionet paqëruajtëse në një kohë kur kishte shënja se disa vendeve perëndimore dhe Federatës Ruse e krijuar pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik po i zbehej entuziazmi të ruanin zellin e angazhimit të mëparshëm financiarisht dhe materialisht kur ata vetë e kishin krijuar këtë mision paqëruajtës të OKB-së.
Që nga dislokimi i misionit të parë të vëzhguesve tre dekada më parë, Kina ka kontribuar me një personel prej afërsisht 40,000 paqëruajtësisht në 25 operacione të komanduara nga OKB-ja si dhe në misione të posaçme politike në Afrikë, Lindje të Mesme, Europë Jugore, Azi Juglindore dhe Amerikë Latine. Harta dhe natyra e objektivit të angazhimeve po shumoheshin nga viti në vit duke gjetur mirëkuptimin e udhëheqjes së Pekinit për të cilën ruatja e paqës dhe sigurisë nën flamurin e OKB-së përbën një ndër parimet themelore të politikës së jashtme të Kinës.
Zhvillimi i shpejtë ekonomik me një volum shkëmbimesh tregtare të madh dhe investime gjithnjë në rritje në mbarë botën, si dhe forcimi i mëtejshëm i autoritetit ndërkombëtar çka ia përforcoi pozitat me vendin e saj në tryezën e më të ‘mëdhejve’ të botës kur po zbehej motoja e mëparshme “Primus inter Pares” e supërfuqive, u shoqëruan me domosdoshmërinë e një angazhimi më të madh dhe më të larmishëm në ruajtjen e paqës në botën e trazuar.
Një aspekt i rëndësishëm ka qënë bashkëpunimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kinës (PLA) me më shumë se 90 vende dhe mëse 10 organizata ndërkombëtare dhe rajonale në misione paqëruajtëse. Një dokument i botuar me rastin e 30 vjetorit të fillimit të angazhimit paqëruajtës në kuadër të OKB-së më 18 shtator 2020 nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit vinte në dukje se nëpërmjet shkëmbimit të delegacioneve dhe ekspertëve dhe manovrave të përbashkta PLA ka rritur mirëkuptimin dhe marrëdhëniet shumëpalëshe me ushtritë e tjera dhe ka forcuar kapacitetin e saj paqëruajtës.
‘Paqëruajtës’ dhe ‘paqëndërtues’…
Në shtator të vitit 2015, Presidenti Xi Jinping shpalli në takimin e nivelit të lartë paqëruajtës të OKB-së zotimin se Kina do të ndërmerrte hapin për të krijuar një skuadër të përhershme policore paqëruajtësish, të krijonte një forcë në gatishmëri paqëruajtësish prej 8.000 trupash dhe të jepte ndihmë falas ushtarake prej 100 milionë dollarësh për Bashkimin Afrikan meqënëse Afrika ka nevojat më të mëdha paqëruajtëse. Aktualisht më tepër se 2.500 forca ushtarake kineze të specialiteteve të ndryshme po kryejnë misione paqëruajtëse në 9 zona misioni dhe pritet që atyre tu shtohen kontigjente të reja.
Nëse do të mbahen mend për kontributin në zgjidhjen e konflikteve dhe vendosjen e paqës gjatë këtyre 30 viteve nga popujt e vendeve ku kanë qënë më parë misionet paqëruajtëse të OKB-së me pjesmarrjen e ushtarakëve kinezë, po aq kanë mbetur të pashlyera gjurmët e punëve të kryera prej tyre në shumë vende në fusha të ndryshme edhe pse në uniformë ushtarake.
Të dhënat zyrtare tregojnë se forcat paqëruajtëse kineze ndërtuan dhe riparuan 15.000 kilometra rrugë dhe më tepër se 300 ura, cminuan dhe likujduan 10.000 mina tokësore dhe detonatorë. Ata bënë transport në një volum prej më shumë se 1.3 milion të materialeve dhe pajisjeve të ndryshme duke mbuluar një distancë prej më shumë se 13.000 kilometra.
Në fushën e shëndetësisë aq jetike për vendet e përfshira në konflikt ku ndër shumë prej tyre çdo gjë ishte rrafshuar, ata kanë mjekuar më shumë se 200.000 pacientë dhe kanë bërë një numër të madh patrullimesh në distanca të shkurta dhe shoqërime të armatosura.
Ndërsa të rënët në këto misione përbëjnë gjerdanin e historikut 30-vjecar të paqëruajtjes kineze, janë lapidari i saj në altarin kombëtar por edhe të OKB-së. Sipas të dhënave, 16 paqëruajtës kinezë dhanë jetën e tyre në misione tepër të rrezikshme.
Por kushdo me të drejtë mund të shtrojë pyetjen: po tani në kushtet e pandemisë coronavirus cili është kontributi i tyre? Konkretisht ndërsa në rradhë të parë kanë siguruar mbrojtjen e efektivave në detyrë në vendet e misioneve, paqëruajtësit kinezë kanë shpërndarë përvojën e tyre të suksesshme në parandalimin e përhapjes së epidemisë tek forcat paqëruajtëse të vendeve të tjetra. Është rasti të përmëndim se të gjithë paqëruajtësit kinezë janë nderuar me medalje të paqëruajtësit të OKB-së për disiplinën e tyre rigoroze, punën e zellshme me cilësi të lartë dhe zero shkelje të disiplinës dhe zero riatdhesime.
Medalja ‘Dag Hammarskjold’, medalja më e lartë që jepet nga OKB për paqëruajtësit, është akorduar pas vdekjes për të gjithë pasqëruajtësit kinezë të cilët dhanë jetën në operacione të rrezikshme. Nuk kanë mbetur prapa në vleresime edhe dhënia e dekoratave paqëruajtëse për punët cilësore inxhinerike dhe vepra të tjera të shquara. Janë të shumta vlerësimet për kontributin e tyre në rastin e luftës kundër virusit Ebola në vende të ndryshme të Afrikës gjatë periudhës 2014-2015. Mali, Sudani i Jugut, Republika Demokratike e Kongos, Liberia jane ndër disa vende ku ata kënë lënë gjurmët e tyre.
Prandaj zëvëndës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Atul Khare ka deklaruar se Kina nuk është vetëm anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por gjithashtu një vend i rëndësishëm kontribues me trupa dhe kontribuesi i dytë më i madh financiar në buxhetin paqëruajtës, duke shtuar sikurse e citonte agjencia Xinhua më 26 qershor 2020 se vetëm Kina mbart tre përgjegjësi të shkëlqyera në të njëjtën kohë.
Në dhjetor të vitit 2018, pjesa e Kinës në buxhetin paqëruajtës të OKB-së për periudhën 2019-2021 u rrit nga 10.24 përqind në 15.22 përqind gjë që e ka kthyer atë në kontribuesin e dytë më të madh pas SHBA.
Lëvdata për shërbimin nën ‘flamurin blu’…
Rritja e influencës së pjesëmarrjes kineze në misionet paqëruajtëse të OKB-së ka sjellur edhe përfaqësimin e tyre në poste të larta drejtuese të këtyre forcave ndërkombëtare. Një prej tyre, He Xing, i cili është profesor në Universitetin Kombëtar të Teknollogjisë së Mbrojtjes, ka shërbyer si komandant i komandës së zonës jugore të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS) nga dhjetori 2017 deri në dhjetor 2018 ku ai ishte në krye të operacioneve në terren.
“Gjatë 30 viteve të kaluara, paqëruajtësit tanë janë adaptuar më shumë me sistemin dhe standartet e komandës së OKB-së dhe kanë njohuri më të mira mbi dispozita të ndryshme. Kapaciteti i tyre është përmirësuar”, tha profesori Xing.
Në Ditën Ndërkombëtare të Paqëruajtes të OKB-së, që përkujtohet çdo 29 maj, Jean-Pierre Lacroix, Zëvëndës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Operacionet Paqëruajtëse i tha agjencisë Xinhua se “paqëruajtësit kinezë- civilë, ushtarakë dhe policë- kanë luajtur një rol të çmuar në disa operacione të OKB-së gjatë 30 vitëve të kaluara dhe i përgëzoi ata për shërbimin e tyre nën flamurin blu”.
Ndërsa OKB-ja shënoi 75-vjetorin e krijimit të saj këtë vit, iniciativa ‘Veprim për Paqëruajtjen’ e shpallur nga Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres ha hyrë në një fazë të rëndësishme të zbatimit të operacioneve të saj. Operacionet paqëruajtëse të OKB-së janë masa të rëndësishme për të mbrojtur paqën dhe sigurinë ndërmombëtare. Ata krijohen dhe i përshtaten zhvillimit të kohës, tha përfaqësuesi i përhershëm i Kinës pranë OKB-së Zhang Jun me atë rast.
Sigurisht pjesëmarrja në të tilla operacione ka vlerën e saj për vendet kontribuese, e konkretisht për Kinën sepse misione të kësaj natyre shërbejnë për të ndërtuar vullnet të mirë midis vendeve, kontribuojnë në marrëdhënie të mira pas konflikteve dhe patjetër krijojnë një imazh pozitiv brenda vendit dhe në botë. Në fund të fundit këto misione janë nën egidën e OKB-së dhe jo ndërhyrje ushtarake individuale të vendeve të ndryshme sepse sikurse ka treguar historia shumë prej tyre kanë qënë të motivuara nga qëllime të tjera jashtë kornizës së paqëruajtjes. Dhe rezultatet dihen e faktet janë kokëforta për pasojat e dëmshme që kanë shkaktuar ndërhyrje të tilla ushtarake në shumë rajone dhe vende, të cilat fatëkeqësit akoma vazhdojnë me viktima në njerëz, shkatërrime ekonomike dhe sociale.
Duke folur në Institutin francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Paris më 31 gusht 2020 Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi deklaroi se gjatë 7 dekadave të fundit Kina nuk ka provokuar ndonjë luftë apo konflikt dhe asnjëherë nuk ka pushtuar një centimetër tokë të askujt.
“Sot, Kina është vendi i dytë më i madh kontribues i buxhetit të rregullt të OKB-së dhe buxhetit paqëruajtës, dhe ka dërguar më shumë paqëruajtës në misione të OKB-së se sa ndonjë anëtar tjetër i përhershëm i Këshillit të Sigurimit. Ne jemi të angazhuar në zgjidhjen e të gjithë çështjeve të mëdha të nxehta ndërkombëtare dhe rajonale”, tha shefi i diplomacisë kineze.
Kontributi në rritje i Kinës nga hapi i parë deri në stadin e tanishëm për tre dekada në aspektin paqëruajtës të OKB-së është pjesë e përpjekjeve të saj për të influencuar në një kuadër shumëplanësh qoftë ekonomik, politik, diplomatik dhe ushtarak në ruajtjen dhe forcimin e paqës në mbarë botën në mënyrë që zona të nxehta të mos kthehen në shkëndija për përmasa më të mëdha të konflikteve të ndryshme. Për më shumë ky kontribut konkret me njësi të specializuara të PLA-së përbën një ndihmë humanitare për popujt e zonave të përfshira në konflikte të ndryshme, çka bëhet më imperative kur shikojmë se pandemia COVID-19 po merr përmasa të paparashikuara. Edhe pse janë bërë hapa në drejtim të vaksinës për vendet e varfëra, që më së shumti janë pjesë e konflikteve, do të duhet kohë e gjatë për ta siguruar vaksinimin për të gjithë.
Aktivizimi më i madh i Kinës në strukturat paqëruajtëse përputhet edhe me një ndër përpjekjet intensive të saj, që OKB-ja ‘75-vjeçare’ të vazhdojë, madje të shtojë në të ardhmen rolin e saj si institucioni më i rëndësishëm dhe kyç mbarë botëror për zhvillim, paqë dhe siguri ndërkombëtare duke e kthyer atë në pikë referimi të multilateralizmit në planetin tonë./CRI