Nga Dr.Jorgji KOTE
Bindesh lehtë për këtë sapo mbaron leximin e “Fjalori i paradokseve”. Një botim krejt i veçantë për autorin, Prof. Dr. Fatos Tarifa dhe publicistikën tonë; që shkon tej caqeve të një fjalori, të josh qysh me emrin e të përfshin në të krejt natyrshëm. Vërtet një udhërrëfyes i pasur e i larmishëm me aforizma, shprehje, thënie të urta, krahasime dhe përshkrime të mbi 260 fenomeneve dhe dukurive kyçe të jetës njerëzore; por, që zhvillimet, deformimet dhe dukuri të tjera i kanë kthyer në paradokse. Këto të fundit shoqërohen me komente të shkurtra apo qoftë dhe me një fjalë apo fjali të vetme domethënëse; p.sh. “higjiena – qytetërim” kështjella – qëndresë, mbijetesë dhe muze”, përkufizimi – kufizim, “përshtatja – bashkëjetesë”.
Padyshim që libra të kësaj natyre janë të domosdoshëm për të gjithë brezat, moshat dhe profesionet; për të ballafaquar e plotësuar vetveten, për të parë mangësitë, si stimul plotësues/qetësues intelektual dhe shpirtëror.
Siç pohon edhe vetë autori, ky libër mori spunto nga “Fjalori i ideve të pranuara” të Gustave Flaubert; gjithsesi, ai është produkt i një hulumtimi të gjatë, të shtrirë në kohë dhe hapësira të ndryshme.
Në respekt të plotë të ekspertëve dhe botuesve të tjerë të kësaj fushe, “Fjalori i paradokseve” është shumë më bindës dhe i besueshëm për disa arsye. Veç Universitetit të Tiranës për shkenca politike, autori i tij është doktoruar edhe për sociologji në universitetin me emër “Chapel Hill”, Karolina e Veriut, është publicist i njohur me mbi 50 libra, 12 prej të cilave në anglisht, me lexueshmëri masive, profesor në disa universitete brenda dhe jashtë vendit. Shto këtu edhe përvojën ambasadoriale në Holandë dhe në SHBA në periudha kritike dhe historike, atë familjare dhe me përvojë mbi 50-vjeçare në të gjitha këto e të tjera fusha jetike.
Do theksuar se nuk bëhet fjalë për thënie dhe shprehje të urta apo popullore që i gjen gjithandej. Prof. Tarifa ka përjetuar dhe “qëmtuar” në të gjitha fushat, veçanërisht në letërsi, art, muzikë, pikturë, në jetën e përditshme, atë politike, diplomatike dhe sociale qysh nga vitet ‘60 si nxënës e student, e deri në ditët tona. Mbi këtë bazë ai ka bërë një sintetizim personal, me devijimet e duhura, duke mos shmangur dot aty-këtu emocionet e rastit, siç e pranon modestisht dhe vetë.
Te “Fjalori i paradokseve” kushdo mund të gjejë një pjesë të madhe të historisë dhe jetës së gjithsecilit, nga lindja, fëmijëria, rinia, beqaria, martesa e deri te vdekja; në vijim një ballafaqim dhe krahasim me idetë, idealet dhe fenomenet e shumta që na shoqërojnë, si bashkudhëtarë dhe dëshmitarë okularë; me të mirat materiale, pronën, pasurinë, paranë, por dhe veset e virtytet, shpirtin, hipokrizinë, turpin, nderin, frikën, entuziazmin, gënjeshtrën, fisnikërinë dhe elegancën, besën dhe besimin, familjen, martesën, dashurinë, feminitetin dhe seksualitetin. Aty gjen profesione dhe emra tingëllues – poetë, shkrimtarë, muzikantë, arkitektë, filozofë, sociologë, politikanë, shkencëtarë dhe artistë planetarë që kanë ndryshuar botën, si nga E. Presley, M. Monroe, The Beatles etj. Fjalori është dhe një “udhëtim” historik në SHBA, Kinë, Rusi, Greqi, Serbi, Mesdhe dhe në viset tona.
Këto paradokse kanë funksione të shumëfishta jetike; si aperitiv, si referenca autentike, si parathënie, si ftesë dhe hyrje në mendime, përsiatje, reflektime, bashkëbisedime të vërteta e jo “dialogë e monologë” të bezdisshme për këto e të tjera aspekte madhore të jetës. Ato mund të zhvillohen lirshëm në studio televizive, auditorë universiteti, në familje, shkollë, komunitet, në kafene, shëtitje në park, kudo.
Si shumë të tjerë, kam pasur rastin të shoh praktikisht vlerën dhe rëndësinë e tyre, sidomos në përcjelljen e mesazheve që nuk prekin dhe ofendojnë, por që ndihmojnë në qetësimin e situatave dhe në një mirëkuptim më të madh dhe si diplomat në 23 vitet e fundit në Tiranë, Bruksel, Berlin dhe gjetkë. Vlerë tjetër e shtuar e librit është shpjegimi i paradokseve jo thjesht për të shuar kureshtjen, si luks dëfryes dhe për zgjerim horizonti; por si udhërrëfyes i dobishëm për mendim të kthjellët dhe veprim qytetar në një botë dhe realitete të ndërlikuara, plot përplasje e drama, sfida e rebuse të gjithfarëllojshme, kur njeriu e sidomos të rinjtë duhet të marrin vendime të guximshme për të ardhmen e tyre.
Për të qenë më konkretë, po përmendim disa prej aforizmave dhe eseve më të spikatura. Po e fillojmë me njohjen dhe vlerësimin e aftësive tona, nëpërmjet shfrytëzimit të momenteve që krijohen në jetë. Autori vëren se “asnjëherë nuk e dimë se ç’mund të bëjmë nëse nuk përpiqemi e provojmë të bëjmë diçka”. Sepse mundësitë janë jetike. Sepse edhe e ardhmja, sipas autorit “vjen ditë pas dite, çdo ditë nga pak”. Për këtë ka shumë rëndësi besimi, “si arma më e fortë që të arrijmë atë që duam”, dhe entuziazmi, sepse sipas Çurçillit “suksesi nuk është gjë tjetër veçse kalimi nga një dështim në tjetrin pa humbur entuziazmin”.
Lidhur me librin dhe leximin, autori e thotë copë se “pëlqen më shumë një njeri që ka dhe lexon libra, se një njeri që ka para por nuk lexon asgjë”. Veçse jo për të vrarë kohën apo për dëfrim, por si nevojë jete. Po e ilustroj këtë me shembull rastin e një të riu, që u habit kur pa një të moshuar 80-vjeçar duke lexuar gjithë qejf. Pyetjes se përse lexonte kur ai nuk kishte më ç’të mësonte, plaku i mençur iu përgjigj se “leximi për të nuk është mënyrë të mësuari, por të jetuari”.
Ka shumë debate e diskutime kur vjen puna te vlerësimi i një gjeniu, sidomos në art dhe letërsi. Mendoj se autori e ka drejt kur sugjeron që “gjeniut i falen veset individuale dhe gabimet njerëzore”. Fjalori dallohet edhe për disa kontraste të spikatura, si ai midis filozofit dhe politikanit, ku i pari “shtron pyetje, ndërsa i dyti pretendon se ka përgjigje për të gjitha ato”. Apo për “besën, si premtim, për të cilën flasin më shumë ata që nuk e mbajnë”.
Në rajonin tonë, Serbia tregohet si vendi që “në të kaluarën ishte qendra gjeografike dhe politike e Ballkanit, por dhe arsyeja metafizike e tragjedive të popujve të këtij rajoni”.
Vend të veçantë zënë paradokset mbi rininë, moshën dhe pleqërinë, e sidomos raportet, ndjesitë dhe specifikat shpirtërore të tyre. Këto shtjellohen jo si aspekte të gjendjes civile, por sociale, që lidhen me qëndrimin aktiv dhe në fazat e avancuara të jetës, pa pritur e numëruar vitet; njeriu mendon, jeton, luan dhe dashuron në çdo moshë, ndryshe plaket. Mbyllje e bukur me esenë e G. B. Shaw se ne “nuk luajmë se jemi plakur, por plakemi se nuk luajmë”.
Paradokset e librit janë të goditura edhe për faktin se autori u largohet klisheve, tabuve dhe paragjykimeve “bardhë e zi”. Kështu, frikën ai e pranon dhe si element pozitiv e nxitës në raste të caktuara, sepse ajo të bën të shmangësh dukuri negative e të provosh shanse dhe mundësi të reja në jetë. Këtu do të shtoja këshillën-lapidar të Marie Curie “mos kini frikë nga asgjë, vetëm mundohuni të kuptoni gjithçka”.
Mbresa tejet frymëzuese dhe emancipuese të lënë aforizmat dhe përshkrimet për femrën dhe gruan me cilësitë e tyre fisnike, sidomos finesën dhe elegancën si “përmasa kryesore e bukurisë”, martesën, familjen dhe feminitetin. Këto dukuri, sidomos seksualiteti, nuk jepen si akte dhe fakte të ndara e të çastit, por si fenomene komplekse sociale, psikologjike e shpirtërore, tejet edukative për brezat e rinj dhe të tjerët.
Si gjithkund, edhe këtu autori bën një lidhje të natyrshme midis pasurisë jomateriale, sidomos parasë dhe pronës, me aspektet dhe cilësitë shpirtërore, ndjenjat etj. Sipas tij, “prona fitohet dhe humbet lehtë, por prona më e sigurt që ke është ajo që e ndan me miqtë”. Ndërkohë, “dhurata, sado e shtrenjtë, nuk ka vlerë pa një mendim të bukur”.
Me shumë interes është trajtimi i nostalgjisë, dukuri tejet e pranishme në Shqipëri. Me të drejtë përmendet se ajo nuk është sëmundje, ca më pak psikike, si trajtohej më parë, por faktor pozitiv, veçse sipas parimit “gjella me kripë dhe kripa me karar”. Ndaj, ajo do trajtuar si “ urë” me të kaluarën, si pomadë, melhem, shkurt si “kurë” që jep energji pozitive kundër stresit, depresionit, vetmisë, mërzitjes. Autori sugjeron që të mos i “biem shumë në qafë nostalgjisë së djeshme, sepse nesër nostalgji do të jetë kjo e sotmja”. Na rikujton paralajmërimin e Hannah Arendt që ishte “kundër konservimit nostalgjik të së shkuarës dhe zhbërjes destruktive të saj”.
Komente, reflektime e, pse jo, edhe ndonjë rezervë e objeksion mund të ketë për paradokset e tjera. Ca më tepër, autori na e ka dhënë vetë lejen; aforizmat, shënimet, përvoja dhe sugjerimet e tij, të përforcuara dhe me referenca të autoriteteve emblematike botërore, janë të hapura dhe pa kurrfarë pretendimi për monopolin e së vërtetës./gsh