Vatikani njoftoi të enjten se Papa Françesku nuk do të drejtojë shërbesën në vigjilje dhe ditën e parë të Vitit të Ri për shkak të përkeqsimit të problemeve që ai ka me nervin shiatik, i cili i shkakton dhimbje në këmbën e tij të djathtë.
Kjo është hera e parë që nga viti 2013 kur Françesku u bë Papë, që 84 vjeçari anashkalon drejtimin e një ngjarjeje të madhe të papatit për arsye shëndetësore.
Shërbesa e fundvitit, që Papa do të drejtonte të enjten në mbrëmje tashmë do të udhëhiqet nga Kardinali Giovanni Battista Re ndërsa mesha e së premtes, e cila shënon Ditën Botërore të Paqës të Kishës Katolike, do të mbahet nga Kardinali Pietro Parolin, sekretari i Shtetit të Vatikanit.
Por Papa megjithatë pritet të drejtojë lutjen e tij të mesditës të së premten ashtu sikurse ishte planifikuar njoftoi Vatikani.
Për shkak të kufizimeve të koronavirusit në Itali, dy shërbesat fetare do të mbahen në bazilikën e Shën Pjetrit me pjesmarrjen e rreth 200 personave nga 10.000 që mban bazilika.
Papa Françesku vuan nga nervi shiatik dhe ai është parë ndonjëherë duke ecur me vështirësi për shkak të dhimbjeve. Për shkak të gjendjes ai kryen terapi të rregullt fizike.
Në mars të këtij viti, si pasojë e një të ftohure të rëndë Papa nuk mori pjesë në një Kreshmë në jug të Romës.
Në 2014, një vit pasi u zgjodh papë, Françesku u detyrua të anulonte disa shërbesa fetare për shkak të asaj që u tha se ishte një problem me stomakun.
Po atë vit ai shmangu ecjen në një procesion të Kreshmës për shkak të dhimbjeve në këmbë. Por përgjithësisht shëndeti i tij ka qenë i mirë që nga zgjedhja e tij Papë.
Javën e kaluar, Françesku kryesoi një meshë në vigjilje të Krishtlindjes dhe ditën tjetër lexoi një mesazh të Ditës së Krishtlindjes “Urbi et Orbi” ndërsa qëndronte në këmbë dhe pa ndonjë vështirësi në dukje.
Paraqitja e tij e fundit ishte në audiencën e përgjithshme të së mërkurës në Vatikan, e cila u zhvilluan nëpërmjet internetit, për shkak të pandemisë. Shërbesa u zhvillua ulur përpara audiencës dhe Papa nuk tregoi të kishte ndonjë problen shëndetësor.