Ministri shqiptar i Diasporës, Pandeli Majko, që ndodhej në Uashington për Mëngjesin e Lutjeve, në një intervistë me “Zërin e Amerikës”
Zoti Majko, po i afrohemi samitit të dytë për diasporën, çfarë hapash konkretë po merren nga qeveria shqiptare për angazhimin e diasporës dhe sa realisht janë të angazhuar shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, bazuar në kontaktet që keni ju, për të dhënë kontributin e tyre? Çfarë garancish jep qeveria shqiptare që ata të mund të bëjnë një gjë të tillë?
Dua të theksoj faktin që ky aktivitet është sidomos i diasporës. Nuk do të jetë thjesht një dialog midis një qeverie në pushtet dhe të ftuarve që do të vijnë. Ne jemi të vetëdijshëm se brenda politikës shqiptare ekzistojnë shumë arsye se përse ata që kemi ftuar në samitin e diasporës janë larguar nga vendi. Kështu që jemi shumë të kujdesshëm për të mos bërë sikur po bëjmë ndonjë heroizëm të madh me ato çfarë kemi bërë. Kemi bërë shumë, por mendoj se jemi shumë vonë dhe vrapi në këtë rast është prapë vonë.
Në janar, Kryeministri Rama ndryshoi më shumë se gjysmën e qeverisë duke e quajtur këtë si reflektim ndaj protestave të studentëve. Kur një kryeministër ndryshon më shumë se gjysmën e qeverisë, çfarë treguesi është kjo për ecurinë e qeverisjes që nga koha kur filloi ky mandat i ri i socialistëve dhe në fakt çfarë ka ndryshuar në filozofinë e qeverisjes me ndryshimin e emrave?
Mendoj se të gjithë kemi qenë nën reflektimin se çfarë duhet të bëjmë pasi lëvizja studentore ishte një lëvizje që realisht na shqetësoi të gjithëve. Unë, të them të drejtën, për herë të parë jam ndjerë i pasigurt për atë që po ndodhte. Sepse nga një anë ndjeja që po takoja vetveten, ata ishin studentë që po ngriheshin karshi, ta themi troç fjalës, një sistemi politik që ishte ndërtuar pas viteve 90-të, dhe që një pjesë e tyre mendojnë se është i kalbur, ashtu siç mendoja unë bashkë me shokët e mi në vitet 90-të.
Po ta vinit re, problemi më i madh aty nuk ishte se ata kundërshtonin qeverinë, madje ata nuk kërkonin as dorëheqje të qeverisë apo të ministrave të veçantë të qeverisë. Shqetësimi im më i madh ishte se ata nuk shikonin veten të përfaqësuar tek opozita. Dhe kjo sjell një problem të madh të opinionin publik me politikën shqiptare.
Nuk besoj se ishte kjo situata.
Mendoj se kjo ishte një pjesë e situatës. Unë nuk po përpiqem të jem shterues në atë që po shpjegoj. Po them atë që mua më shqetësonte më tepër nga gjithë kjo histori. Që do të thotë se sistemi politik nuk po përfaqëson opinionin publik. Një sistem politik që nuk përfaqëson opinionin publik të një vendi, atëherë duhet ta gjykojmë me arsyetimin, o ka filluar fundi ose sistemi politik po mbyll një cikël të vetin.
Zoti Rama reagon ashpër sa herë që kritikohet nga media, e ka gjetur emrin që përdor shpesh “kazan” dhe së fundmi edhe Zëri i Amerikës u bë pjesë e këtij lloji reagimi të Kryeministrit Rama. A mendoni se qëndrime të tilla nga kryeministri janë të arsyeshme duke patur parasysh se në të gjitha demokracitë, media është një nga shtyllat më të fuqishme.
Edi Rama përveç se është kryeministër, për aq sa e njoh unë, ka qënë edhe një nga penat e gazetarisë shqiptare. Kështu që shpesh ai e ka pak delikate të ndajë pozicionin e tij si kryeministër dhe pozicionin e tij si një njeri që është rritur midis gazetarëve më shumë sesa midis politikanëve, dhe ky është fakt.
Ai ka kritikuar shpesh shumë ashpër …
90 përqind e atyre që ai kritikon shumë ashpër, realisht kanë qënë shokë të tij, shokë bile shumë të afërt, një pjesë e tyre e kanë ndihmuar në shkallë të ndryshme të karrierës, siç e thonë tani së fundmi. Ne duhet ta bëjmë këtë diferencë. Për sa i përket mënyrës se si u shpreh ai për Zërin e Amerikës, unë kam rezervat e mia. Rezervat fillojnë që nga mënyra se si unë e kam marrëdhënien me Zërin e Amerikës.
Por besoj se në të tilla raste, mirëkuptimi është gjëja më e veçantë, që ky ekip i veçantë që njoh unë në Zërin e Amerikës ka dhe duhet të ketë me politikën shqiptare. Mendoj se Zëri i Amerikës e ka atë që ka në gjithë historinë e gjithë medias shqiptare dhe në marrëdhënien me të vërtetën me publikun shqiptar. Edhe kur ne ndonjëherë e tejkalojmë atë që konsiderohet si e tejkaluar, mendoj se këtu duhet të ketë mirëkuptim dypalësh. Unë e thashë, Edi Rama është një antikonformist dhe shpesh në marrëdhëniet me median ai është më shumë gazetar se sa politikan.
Kalojmë pak tek Kosova. Ditët e fundit ka patur nxitje, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, që të zgjidhen mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë dhe të arrihet një marrëveshje brenda këtij viti. Gjithashtu ka patur shumë debate duke filluar që nga ideja e korrigjimit të kufirit, vendosja e tarifave që po kundërshtohet me forcë nga Shtetet e Bashkuara, tarifat ndaj Serbisë. Si e shihni situatën dhe a jeni optimist për një zgjidhje këtë vit?
Lexova me kujdes një editorial të dy ambasadorëve të respektuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Beograd të cilët nënvizonin faktin e nevojës për një marrëveshje midis palëve dhe për heqjen dorë nga obstruksionizmi, që mu duk momenti i parë i rendësishëm, dhe i dyti për të realizuar një marrëveshje të pranuar dhe të zbatueshme.
Tek obstruksionizmi kam parasysh në radhë të parë mënyrën se si shteti serb sillet karshi shtetit të Kosovës, duke u përpjekur në mënyrën më maksimale ta bllokojë atë në çdo rol ndërkombëtar apo akt ndërkombëtar që shteti i Kosovës ndërmerr. Obstruksionizmi ka të bëjë edhe me mënyrën se si ka reaguar Kosova, por ne duhet të ndajmë kush është aksioni dhe kush është reaksioni. Pra duhet të ndajmë që tarifa e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë, obstruksionizëm është, një gjë që në kushtet teorike është krejtësisht e pavend. Por ne nuk duhet ta shikojmë si një aksion, por duhet ta shikojmë si një reaksion.
Unë pres marrëveshje, siç edhe dy ambasadorët e respektuar kishin nënvizuar, të zbatueshme. Për idenë e shkëmbimit të territoreve, idenë e korrigjimit të kufijve, ide të çuditshme që kanë qarkulluar mbi dhe nën tavolinë, sinqerisht kam qenë i rezervuar. I rezervuar për një fakt shumë të thjeshtë: ky është një lloj autoriteti apo autorizimi që i takon elitës politike të Prishtinës. – VOA