Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim të përbashkët Presidentin Hashim Thaçi, Kryeministrin Ramush Haradinaj, bashkëkryesuesin e delegacionit shtetëror për dialog, Fatmir Limajn, si dhe anëtarët e delegacionit, Enver Hoxhaj dhe Visar Ymerin.
Sipas një njoftimi të Kuvendit, në këtë takim është diskutuar për procesin e fazës finale të dialogut, me theks të veçantë për platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.
“Pjesëmarrësit në takim u pajtuan që të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nga pozita dhe opozita, duhet të bëhen bashkë në mbështetje të platformës së dialogut, ndërkaq u theksua se uniteti i skenës politike kosovare e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në procesin e dialogut”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha për gazetarët se temë e diskutimit ka qenë platforma e dialogut.
“Ajo që sot u arrit si dakordim ishte që platforma kurdo që është e gatshme t’i paraqitet Parlamentit”, tha ai.
Ndërsa, kreu i Qeverisë ishte i qartë sa i përket taksës, ku ritheksoi se ajo do të qëndrojë.
I pyetur nga gazetarët, Haradinaj foli dhe për anulimin e vizitës të gjeneralit amerikan, ku tha se nuk i di arsyet, ndërsa në mënyrë zyrtare theksoi se nuk ka marrë asnjë komfirmim për anulime të vizitës.