Opinion nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasador Vincenzo Del Monaco
Janë të shumtë artikujt rreth dhunës ndaj grave dhe vajzave që po kthehen në kryelajm në Shqipëri. Më lejoni të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për redaktorët, që u kushtojnë hapësire të mjaftueshme në media këtyre çështjeve, si edhe për gazetarët e përkushtuar për raportimin e këtyre historive të dhimbshme dhe tragjike. Qoftë nëpërmjet faqeve të gazetave, apo pamjeve në portalet e internetit, media luan një rol thelbësor për thyerjen e heshtjes. Dhe sa më e efektshme dhe e fortë të jetë fushata mediatike, aq më e mundur është që gra dhe vajza të tjera të gjejnë guximi për të ngritur zërin dhe për të ndihmuar policinë dhe gjykatat përgjatë angazhimit të tyre të përditshëm për uljen, në mos çrrënjosjen, e këtyre krimeve të tmerrshme. Për këtë arsye, vendosa t’i shtoj zërin tim këtij debati të frytshëm publik dhe e falënderoj gazetën “Albanian Daily News” që po më bën pjesë të përmbajtjes së saj.
Mbërrita në Shqipëri gjatë Kryesisë shqiptare të OSBE-së. Kryesi kjo që i dha përparësi përparimit të mëtejshëm të të drejtave të njeriut, përkrahjes së barazisë gjinore dhe kontributit për konceptin e sigurisë gjithëpërfshirëse të OSBE-së. Në fakt, pasiguria është gjithashtu nënprodukt i pabarazisë dhe diskriminimit. Edhe Kryesia e tanishme suedeze e ka theksuar qartë që barazia gjinore qëndron në thelb të punës së OSBE-së në vitin 2021. Sipas suedezëve, dhe gjithashtu sipas meje dhe ekipit tim, përfshirja dhe pjesëmarrja e qenësishme e grave janë të një rëndësie madhore, së bashku me nevojën për të ecur përpara me programin “Gratë, paqja dhe siguria”. Përpara se të normohet në dispozita ligjore, barazia e të drejtave ndërmjet qenieve njerëzore është pikësëpari mendësi.
Mbërritja ime përkoi edhe me fushatën globale “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila synon theksimin e çështjes, vlerësimin e arritjeve dhe angazhimin për veprim të mëtejshëm. Dhuna ndaj grave është plagë që nuk kursen asnjë vend; është plagë ndaj njerëzimit. Shpejtë u njoha me provat e ofruara nga studimi i OSBE-së në vitin 2019 për dhunën ndaj grave,[1] të cilat tregonin një realitet të egër edhe në Shqipëri.
Nuk u habita kur gjatë një takimi në rrjet të organizuar nga OSBE-ja rreth kësaj teme, gjatë një diskutimi të hapur për “Thyerjen e heshtjes pas dyerve të mbyllura”, shumë u tha për dhunën ndaj grave dhe vajzave në shoqërinë e sotme shqiptare. U treguan histori të vërteta, u nxorën në pah përgjegjësitë dhe u ra dakord për aspektet më të rëndësishme. Jam më se dakord me një vajzë të re nga Mirdita, e cila, në një nga tryezat e punës me të rinjtë tha: “Do të ketë dhunë në familje për aq kohë sa ekzistojnë stereotipat gjinorë. Gratë nuk shihen si të barabarta dhe kontributi i tyre nënvlerësohet. Duhet punuar më shumë me djemtë dhe vajzat e reja për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ndryshuar mendimet dhe qëndrimet e brezave të rinj”.
Kjo çështje nuk mund të zgjidhet duke ia deleguar një institucioni apo një sektori. Të gjithë ne kemi rolin tonë në këtë aspekt, si individët, familjet, të rinjtë, shkollat, vendet e punës dhe institucionet. Më lejoni ta theksoj: ka mjaft vend për optimizëm. Ndërsa aktet e dhunshme të reja dhe të përsëritura ndaj grave dhe vajzave[2] janë ato që janë, – të tmerrshme, – ka përparim, po merren mësime dhe institucionet janë të përkushtuara. Shqipëria ka ndërmarrë hapa vigane që nga viti 2007, kur hyri në fuqi ligji i parë për luftën ndaj fenomenit të dhunës në familje, deri te masat ligjore të fundit për urdhrat e mbrojtjes dhe largimin e autorit nga mjedisi i banimit, si edhe tek udhëzimet për dënime dhe masa sigurie më të rënda. Është fakt që kuadri ligjor dhe institucional i Shqipërisë i është nënshtruar përmirësimit të vazhdueshëm.
Prezenca e OSBE-së vijon të jetë partnere e besueshme e Shqipërisë, me qëllim sjelljen e ndryshimit pozitiv në vend. Ne do të vijojmë të mbështetim luftën ndaj dhunës me bazë gjinore, përgjatë punës sonë programatike me aktorët dhe agjencitë kryesore në vend, me ata që mund të krijojnë rregullat e përshtatshme, t’i respektojnë këto rregulla në mënyrë sistematike dhe të mbikëqyrin gjendjen dhe të drejtojnë gishtin ndaj keqbërjes: deputetët, gjyqësori, media dhe të gjitha organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në këtë fushë.
Në vitin 2019, Anketa e drejtuar nga OSBE-ja për Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Shqipëri informoi shoqërinë civile, median, deputetët dhe institucionet, dhe ofroi të dhëna faktike që u shërbyen deputetëve për të hartuar ligje më të mira. Gjithashtu, na dha mundësinë të shpërndanim informacionet e rëndësishme me personat e dëmtuar në veçanti, si dhe me të gjitha gratë në vend në përgjithësi.
Në dhjetor të vitit 2020, gjatë diskutimit publik “MenEngage (burrat angazhohen) për barazinë gjinore”, ne theksuam disa nga modelet e shumta pozitive të burrave dhe djemve, të cilët janë të përkushtuar të përkrahin barazinë gjinore në Shqipëri. Duam ta bëjmë të qartë se ndryshimi do të ndodhë vetëm kur burrat dhe djemtë të jenë pjesë e zgjidhjes.
Përgjatë dy viteve të fundit, Prezenca ka organizuar një sërë tryezash pune për temën e sigurisë me të rinjtë në qarqe të ndryshme të Shqipërisë. Pjesëmarrësit e dalluan dhunën në familje si çështje sigurie në komunitetet e tyre. Prandaj, ne zhvilluam një kurs trajnimi për temën e sigurisë, i cili përmbante përkufizimet e abuzimit në familje, llojeve të abuzimit, ciklit të dhunës dhe efektit të dhunës në familje te fëmijët dhe te të rinjtë.
Pandemia COVID-19 ka rritur numrin e rasteve të dhunës në familje, dhe jo vetëm në Shqipëri; gjithashtu, ajo ka ndikuar negativisht tek aftësia e grave për të gëzuar të drejtat dhe liritë në mënyrë të barabartë me burrat, çka është shoqëruar edhe me pasojë të rënda për ekonominë. Do të vazhdojë t’i vihet theksi programit “Gratë, paqja dhe siguria” dhe përqasjes gjithëpërfshirëse të tij ndaj rolit vepror të grave në shoqëri dhe ndaj çështjeve të sigurisë, në përputhje me përparësitë e Kryesisë suedeze të OSBE-së për vitin 2021. Do të punojmë gjithashtu me gjykatësit dhe prokurorët, nëpërmjet Shkollës së Magjistraturës dhe Forumit të Grave Gjyqtare Shqiptare, për hetimin dhe gjykimin e çështjeve të dhunës në familje, si dhe për çështjet e abuzimin dhe dhunës seksuale ndaj grave, me përqasje drejt të drejtave të personave të dëmtuar.
Viti 2021 do të jetë vit më i mirë nëse ne i bashkojmë forcat, nëse e lejojmë jetën të na flasë dhe nëse kemi talentin të shohim se çfarë mungon për të arritur plotësinë dhe një shoqëri që është më e drejtë.
[1] https://www.osce.org/sq/secretariat/441832
[2] https://eca.unwomen.org/en/news/stories/2020/6/revised-law-empowers-women-survivors-of-violence-in-albania