Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar të mërkurën zyrtarët që të nisin vaksinimin masiv për koronavirus javën tjetër dhe të hapin programin e vaksinimit për të gjithë rusët.
Rusia, e cila renditet e katërta në botë për nga numri i të infektuarve me koronavirus, ka nisur vaksinimin e shkallës së gjerë muajin e kaluar.
Fondi sovran i pasurisë në këtë shtet, ka thënë se 1.5 milion rusë tashmë kanë marrë vaksinën ruse Sputnik V.
“Kërkoj të nisni vaksinimin për gjithë popullsinë javën e ardhshme”, u ka thënë Putin zyrtarëve në një takim qeveritar me video-lidhje, që është transmetuar në televizionin shtetëror.
Zëvendës-kryeministrja ruse, Tatiana Golikova ka thënë se autoritetet do të jenë të gatshme për të zgjeruar programin e vaksinimit nga e hëna.
Rusia nuk ka aplikuar masë të izolimit të plotë gjatë valës së dytë të koronavirusit, e cila ka nisur në muajin shtator.
Zyrtarët rusë besojnë se kufizimet aktuale janë të mjaftueshme për të parandaluar përhapjen e virusit.
Të mërkurën, Rusia ka raportuar për 22,850 raste të reja të infektimit me koronavirus.
Prej kur ka shpërthyer pandemia, ky shtet ka regjistruar 3.5 milionë persona të prekur nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.