Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi ka realizuar një takim online me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi ka uruar homologun e tij nga Mali i Zi, z. Dritan Abazviq për postin zëvendëskryeministër dhe për realizimin e suksesshëm deri më tani të politikave kyçe të cilat janë në favor të të gjithë qytetarëve në Mal të Zi.
Grubi gjithashtu i ka thënë kolegut të tij Abazoviq se Maqedonia e Veriut është e angazhuar me shumë përkushtim në përmbushjen e reformave dhe obligimeve të domosdoshme me qëllim çeljen sa më të shpejtë të negociatave me Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq i ka thënë Grubit se Maqedonia e Veriut është një shtet mik dhe partner strategjik i vendit të tij. Abazoviq thotë se marrëdhëniet me Shkupin janë ndërtuar përmes dialogut dhe bashkëpunimit të mirë.
Grubi dhe Abazoviq gjatë këtij takimi online janë pajtuar se anëtarësimi i plotfuqishëm i Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO, miqësia me ndërkombëtarët dhe në veçanti me partnerët strategjik të të dyja vendeve Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe rruga e përbashkët drejt Bashkimit Evropian janë vlerë e shtuar për zhvillimin e rajonit dhe në veçanti për paqen dhe stabilitetin.