Intervistë me Deniz Deralla, drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë
Me rregulloren e re, bankat do të mund të bëjnë kërkime në regjistër, edhe në rastet kur nuk ka një aplikim për kredi nga klientët.
Në fillim të muajit dhjetor, Banka e Shqipërisë miratoi rregulloren e re për funksionimin e Regjistrit të Kredive. Në një intervistë për revistën “Monitor”, drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes, Deniz Deralla, thotë se rregullorja e re do të sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e funksionimit të regjistrit, por edhe në përmbajtjen e tij.
Me rregulloren e re, bankat do të mund të bëjnë kërkime në regjistër, edhe në rastet kur nuk ka një aplikim për kredi nga klientët. Megjithatë, ai thekson se në çdo rast kërkimi do të bëhet vetëm me një miratim paraprak nga klienti i institucionit financiar. Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi është mundësimi i ofrimit të produkteve të kredisë të para aprovuara për klientët e tyre.
Me rregulloren e re, për herë të parë edhe individët dhe bizneset do të kenë akses direkt në regjistrin e kredive, për të marrë shërbimin e gjenerimit të raportit të kredimarrësit. Qytetarët do të mund të regjistrohen në Platformën Online të Regjistrit të Kredive, të publikuar në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë për të krijuar llogarinë e tyre në sistem.
Në vijim, ata nevojitet të paraqiten vetëm një herë pranë Bankës së Shqipërisë-së, për të përfunduar fazën e miratimit të llogarisë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, aktualisht regjistri i kredive përmban të dhëna për 650 mijë individë dhe 21 mijë biznese kredimarrëse.
Çfarë parashikon rregullorja e miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH në fillim të muajit dhjetor, “Për funksionimin e Regjistrit të Kredive në Bankën e Shqipërisë, si dhe kushtet dhe procedurat për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave që administrohen në të”?
Rregullorja e re synon të rregullojë funksionimin e sistemit të ri të Regjistrit të Kredive; kushtet dhe procedurat e nevojshme për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave të tij; llojin e të dhënave që raportohen pranë këtij sistemi, si dhe tarifat për përdorimin e tij. Subjekte të kësaj rregulloreje janë të gjitha bankat, degët e bankave të huaja, subjektet financiare jobanka, shoqëritë e kursim-kreditit dhe Unionet e Shoqërive të Kursim-Kreditit, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, të cilat raportojnë në Regjistrin e Kredive.
Rregullorja parashikon gjithashtu përdoruesit në sistemin e Regjistrit të Kredive, si dhe procedurat e nevojshme për miratimin e tyre dhe krijimin e aksesit në sistem.
Në drejtim të të dhënave që raportohen, përveç përcaktimit të formatit të raportimit të tyre, rregullorja parashikon dhe kriteret kohore që duhet të respektohen nga raportuesit e të dhënave, për raportimin e tyre në Regjistrin e Kredive, si dhe kriteret për kohëzgjatjen e qëndrimit të të dhënave në Regjistrin e Kredive.
Kjo rregullore synon gjithashtu të adresojë dhe çështje të ngritura nga institucionet financiare, gjatë funksionimit të sistemit ekzistues të Regjistrit të Kredive dhe zbatimit të akteve përkatëse rregullative të tilla si: Legjitimimi i kërkimit në Regjistrin e Kredive si dhe Mënyrat e dhënies së pëlqimit paraprak nga ana e kredimarrësve.
Fryma e kuadrit ekzistues rregullativ legjitimonte kërkimin në Regjistrin e Kredive, vetëm në rastet e aplikimit për kredi dhe monitorimit të vazhdueshëm të saj. Legjitimimi i kërkimit i lidhur ngushtësisht me aplikimin për kredi, konsiderohej pengesë në drejtim të nismave të ndërmarra nga institucionet financiare për dixhitalizimin e shërbimeve dhe produkteve bankare, si një vlerë e shtuar për klientët e tyre.
Nëpërmjet këtyre nismave, institucionet financiare synojnë ndër të tjera, të ofrojnë produkte kredie të paraaprovuara për klientët e tyre, të cilët jo detyrimisht kanë një marrëdhënie kredie me to. Miratimi paraprak i këtyre produkteve do të kërkonte konsultimin paraprak me të dhënat e Regjistrit të Kredisë.
Për të adresuar këtë shqetësim, rregullorja i kushton vëmendje të veçantë kritereve për marrjen dhe përpunimin e të dhënave në Regjistrin e kredisë; elementeve minimale që duhet të përmbajë klauzola e pëlqimit paraprak, si dhe përdorimet e palejueshme të informacionit të Regjistrit të Kredive.
Nëpërmjet rregullores së re lejohet përdorimi i Regjistrit të Kredive edhe në rastet kur nuk ka një aplikim për kredi nga ana e klientëve, por në çdo rast kërkimet në Regjistrin e Kredisë edhe për t’u ofruar klientëve mundësinë e kredimarrjes, duhet të mbështeten në pëlqimin paraprak specifik dhe të shprehur qartë për këtë qëllim nga ana e klientëve.
Hartimi i rregullores ka marrë në konsideratë, ndër të tjera, dhe ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, ndaj dhe pajisja paraprakisht me pëlqimin e klientit, konsiderohet si dokumenti bazë për kërkimet në këtë sistem.
Në lidhje me mënyrën e dhënies së pëlqimit, kuadri rregullativ ekzistues specifikonte dhënien me shkrim të pëlqimit. Ndërkohë nismat dixhitale parashikojnë dhënien e pëlqimit dhe në rrugë elektronike. Për rrjedhojë, mënyra e dhënies së pëlqimit është rishikuar duke u kujdesur që të mos specifikohet më togfjalëshi “me shkrim”, i cili në këndvështrimin e institucioneve financiare përbënte pengesë për dhënien e pëlqimit në formë elektronike. Bazuar në ligjin nr. 9880, datë 25.02.2008 “Për nënshkrimin elektronik, vlefshmëria ligjore e nënshkrimeve elektronike ka të njëjtën vlefshmëri ligjore dhe fuqi provuese me formën shkresore.
Nga interpretimi i këtij ligji rrjedh se autorizimi me shkrim i pëlqimit mund të merret në mënyrë elektronike, duke përmbushur kriteret e nënshkrimit elektronik. Përveç sa trajtuar më sipër, rregullorja parashikon gjithashtu masat mbikëqyrëse të cilat aplikohen nga Banka e Shqipërisë ndaj institucioneve pjesëmarrëse në këtë sistem në rast të shkeljes së dispozitave të kësaj rregulloreje.
Ndryshimi
Në ndryshim nga sistemi ekzistues, në sistemin e ri, aksesi do t’i ofrohet edhe qytetarëve të interesuar për t’u njohur me të dhënat e tyre si individë apo persona juridikë.
Çfarë përmirësimesh sjell sistemi i ri i regjistrit në raport me variantin e mëparshëm?
Sistemi i ri ofron një infrastrukturë teknologjike të zhvilluar, për nga pikëpamja hardware dhe software. Zhvillimet në infrastrukturën teknologjike të sistemit do të sigurojnë një komunikim/ndërveprim më të shpejtë me sistemet e institucioneve financiare që raportojnë të dhëna pranë tij (aktualisht 42 institucione financiare), duke rritur në këtë mënyrë eficencën e përdorimit të tij nga të gjitha grupet e interesit. Gjithashtu, në linjë me nismat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare, për shtimin dhe promovimin e shërbimeve elektronike, në shërbim të qytetarëve prezantohet: “Shërbimi Online” për pajisjen me Raportin e Kredimarrësit.
A do të sjellë sistemi i ri i Regjistrit të Kredive pasurim në përmbajtjen e informacionit të përfshirë në regjistër dhe në mënyrat apo procedurat për ta aksesuar këtë informacion?
Po. Të dhënat që do të raportohen pranë këtij sistemi janë zgjeruar dhe harmonizuar me standarde ndërkombëtare të raportimit të kredive për bankat qendrore për të mbështetur disa funksione qendrore të Bankës së Shqipërisë, të tilla si vendimmarrja në politikën monetare dhe mbikëqyrja mikro dhe makroprudenciale. Ndërkohë, sikundër jam shprehur në pikën 1 më sipër, në ndryshim nga sistemi ekzistues, në sistemin e ri, aksesi do t’i ofrohet edhe qytetarëve të interesuar për t’u njohur me të dhënat e tyre si individë apo persona juridikë.
A kanë mundësi sot individët apo bizneset të kenë akses në informacionin rreth tyre që pasqyrohet në Regjistrin e Kredive? Çfarë procedurash duhet të ndjekin për të marrë Raportin e tyre të Kredimarrësit?
Me fillimin e funksionalitetit të sistemit të ri, të gjithë individët/personat Juridikë do të mund të kenë akses në të dhënat e tyre, drejtpërdrejt nga Platforma Online që prezanton sistemi i ri.
Nëpërmjet këtij shërbimi: ata mund të gjenerojnë në çdo kohë Raportin e tyre të Kredimarrësit; të monitorojnë ekspozimet (kreditë e marra) në sistemin bankar e financiar; si dhe të mund të reklamojnë pretendimet e tyre, në rast të konstatimit të të dhënave të pasakta/të paplota, drejtpërdrejt tek raportuesit përgjegjës të të dhënave dhe të njihen në çdo kohë për statusin e trajtimit të kërkesës së tyre.
Për të pasur akses në Regjistrin e Kredive, qytetari duhet të regjistrohet në Platformën Online të Regjistrit të Kredive, të publikuar në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë për të krijuar llogarinë e tyre në sistem. Në vijim, ata nevojitet të paraqiten vetëm një herë pranë Bankës së Shqipërisë-së, për të përfunduar fazën e miratimit të llogarisë. Me miratimin e saj, aksesi në sistem do të ofrohet 24/7 ditë të javës dhe do të jetë i pakufizuar në kohë. Detaje më të hollësishme mbi procedurat që ndiqen parashikohen në dispozitat e rregullores së re të miratuar. Më konkretisht, neni 22 i saj.
Aksesi
Për të pasur akses në Regjistrin e Kredive, qytetari duhet të regjistrohet në Platformën Online të Regjistrit të Kredive, të publikuar në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë për të krijuar llogarinë e tyre në sistem. Në vijim, ata nevojitet të paraqiten vetëm një herë pranë Bankës së Shqipërisë-së, për të përfunduar fazën e miratimit të llogarisë. Me miratimin e saj, aksesi në sistem do të ofrohet 24/7 ditë të javës dhe do të jetë i pakufizuar në kohë.
Sa është afërsisht numri i bizneseve dhe individëve për të cilët disponohet informacion në Regjistrin e Kredive?
Në Regjistrin e Kredive disponohet informacion për të gjitha kreditë e dhëna Individëve dhe Personave Juridikë nga Sistemi Bankar e Financiar. Numri i individëve për të cilët disponohen të dhëna rezulton në rreth 650 mijë. Numri i Bizneseve për të cilët disponohen të dhëna rezulton në rreth 21 mijë.
Sa është afërsisht numri vjetor i kërkimeve që kryhen në regjistër nga institucionet e kredidhënies?
Numri vjetor i kërkimeve të realizuara nga institucionet financiare që raportojnë të dhëna pranë këtij sistemi regjistrohet mesatarisht në 670 mijë kërkime në vit./Monitor