Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Edukimit, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi sot një takim me një përfaqësi të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, të cilët e njohën me disa nga çështjet më kritike me të cilat përballen studentët, duke parashtruar edhe rekomandimet për zgjidhjen e tyre.
Disa nga çështjet e ngritura, që shqetësojnë rininë studentore ishin: tarifat e larta në universitete, të papërballueshme për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19 në humbjen e vendeve të punës, korrupsioni në arsim, specifikisht në arsimin e lartë, ngacmimi dhe dhuna seksuale ndaj studenteve vajza në universitete, rritja e sfidave për frekuentimin e mësimit online nga studentët për shkak të mungesës së teknologjisë dhe mjeteve; si dhe mungesa e bibliotekave, laboratorëve dhe praktikave mësimore.
Përfaqësuesit studentorë dhe pedagogët në takim theksuan se papunësia mes të rinjve të arsimuar mbetet një ndër shqetësimet kryesore në Shqipëri ku rreth 14.4 % e të rinjve me arsim të mesëm janë të papunë, ndërsa 12,3 % e të rinjve me arsim të lartë vuajnë këtë fenomen, duke vënë në dukje se ikja e trurit dhe shpopullimi i vendit nga të rinjtë e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Europë me rreth 30% të studentëve që synojnë të studiojnë jashtë vendit dhe 79% e të rinjve që dëshirojnë të largohen nga Shqipëria për një jetë më të mirë.
Sipas përfaqësuesve të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë krijimi i Avokatit të Studentit sipas modelit të Avokatit të Popullit, është një nevojë, plotësimi i të cilës do të ndikonte pozitivisht në ndihmën dhe mbrojtjen e të drejtave të studentëve.
Po ashtu dobiprurëse do të ishte edhe mundësimi dhe pajisja me Kartën Rinore deri në moshën 29 vjeç, në të cilën të jetë e integruar edhe Karta e Studentit, rimodelimi i programeve të punësimit pasi të jenë bërë studime të tregut të punës, kthimi në funksionalitet i Zyrave të Këshillim, etj.
Duke ngritur si shqetësimin mungesën e zgjedhjeve demokratike në nivel vendor, të ilustruar edhe me mënyrën e paprecendentë të miratimit me anë të forcës së kartonit në parlament të Ligjit tërësisht të cunguar e të njëanshëm për Rininë, përfaqësuesit rinorë theksuan situatën e vështirë dhe perspektivën e zymtë që i pret në të ardhmen, ku zëri dhe shqetësimet e tyre nuk merren parasysh. Në këtë kuadër, ata nënvizuan domosdoshmërinë e hartimit të një Ligji të ri për Rininë.
Pasi i dëgjoi shqetësimet dhe u njoh me gjetjet e përfaqësuesve të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë, Presidenti i Republikës u shpreh se:
“Takimet me të rinjtë dhe studentët janë përherë kënaqësi. Për të gjithë ne është e qartë se prej gati një viti procesi i edukimit, për shkak të pandemisë dhe pasojave të paparashikuara që solli, është në një trysni të madhe.
Në radhë të parë, doja të përshëndesja gjithë pedagogët e mësuesit, si dhe të gjitha institucionet shtetërore të arsimit publik, për përpjekjet e tyre, që edukimi i studentëve të vijojë normalisht, në veçanti që sistemet online të funksionojnë në një mënyrë sa më efikase, pa cënuar cilësinë e mësimdhënies.
Jam i njohur me faktin se në këtë situatë problem i madh për studentët sot është çështja e tarifave, për shkak se pandemia për fat të keq, pati një kosto të madhe për familjet shqiptare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, mbi 50 mijë shqiptarë humbën vendet e punës dhe sigurisht përballimi i tarifave të universiteteve për fëmijët e tyre është një kosto shtesë për shumë familje, që kanë një pagë të ulët.