Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është shprehur edhe një herë kundër idesë për ndryshimin e kufijve në Ballkan, e cila është plasuar në kontekst të dialogut midis Kosovës e Serbisë.
“E ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve, por është heqja e kufijve, si në vetë Bashkimin Europian. Kjo është filozofia kryesore që më ka motivuar mua të punoj mjaft ngushtë me të gjithë fqinjët dhe me vendet e rajonit tonë, me të cilat në të kaluarën, për arsye të ditura, kemi qenë në një marrëdhënie jomiqësore”, ka thënë Meta, në një intervistë për “ALB UK TV”.
Meta është shprehur kundër ideve për krijimin e shteteve etnike në Ballkan.
“Në Ballkan vetëm bashkëjetesa mund të funksionojë, për arsye sepse çdo komb në Ballkan që është shumicë në një shtet, është pakicë në një apo në disa shtetet të tjera. Prandaj, e vetmja zgjidhje është pikërisht që të gjitha vendet të respektojnë të drejtat e pakicave, sipas standardeve europiane”, është shprehur ai.
Meta ka thënë se arritja e një marrëveshjeje midis Kosovës e Serbisë do të ishte vendimntare për paqes, stabilitetin e bashëjetesën në gjithë rajonin.
“Do të dëshiroja shumë që të kemi një finalizim të suksesshëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo do të ishte vendimtare për forcimin e paqes, stabilitetit dhe të bashkëjetesës në rajonin tonë, por edhe për të garantuar njëkohësisht perspektivën europiane të dy vendeve, të Serbisë edhe të Kosovës”, është shprehur Presidenti i Shqipërisë