Qeveria e Estonisë do të udhëhiqet për herë të parë nga një grua.
Kabineti 15-anëtarësh i kryeministres, Kaja Kallas, mori detyrën pasi ligjvënësit në parlamentin e Estonisë miratuan përbërjen e tij, të caktuar nga presidentja, Kersti Kaljulaid.
Kallas, 43 vjeç, është një juriste dhe ish-ligjvënëse e Parlamentit Evropian.
Partia Reformatore, e qendrës së djathtë dhe Partia e Qendrës me prirje të majtë arritën një marrëveshje të dielën për të formuar qeverinë. Të dyja këto janë partitë më të mëdha të Estonisë.
Kabineti i mëparshëm i kryeministrit, Juri Ratas, u rrëzua këtë muaj për shkak të një skandali korrupsioni.
Kabineti i Kallas do të jetë në funksion për pak më shumë se dy vjet, para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme të caktuara për në mars 2023. Estonia është vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Një nga përparësitë e qeverisë është trajtimi i situatës së pandemisë dhe trazirave ekonomike të shkaktuara nga ajo.
Estonia, një vend prej 1.3 milionë banorësh, tani është një nga vendet e pakta ku presidenca dhe qeveria udhëhiqen nga gratë.