Partia Demokratike, prezantoi sot programin për rritjen ekonomike.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se programi ekonomik është produkt i muajve punë nga ekspertët më të mirë.
Duke përmendur objektivat e këtij programi, Basha tha se, “dyfishimi i të ardhurave për frymë është objektivi ynë parësor, pasi kjo prek dhe përmirëson jetët e të gjithë shqiptarëve, të çdo familjeje, të çdo shtëpie, të çdo fëmije, prindi, gjyshi e gjysheje.
“Koalicioni ynë qeverisës angazhohet përmes programit tonë që shënjestron sektorë të caktuar të dyfishojmë të ardhurat për frymë. Ne angazhohemi ta zhdukim varfërinë ekstreme. Nuk do të ketë më familje shqiptare që do të vuajnë për bukën e gojës, ujë dhe drita. Kjo plagë e tmerrshme është zmadhuar dhe dhëmbë sot më shumë se kurrë më parë”.
“Nuk do të kemi më ministra që shumëfishojnë pasuritë si në administratën e Ramës, por do të punojmë fortë për të zhdukur mjerimin, varfërinë ekstreme në familjet shqiptare, dhe hapi i parë do të jetë dyfishimi i ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Për të gjitha familjet në nevojë, shumë prej të cilave sot janë jashtë skemës së ndihmës ekonomike”, tha ai.
“Me zbatimin e programit tonë varfëria në tërësi do të ulet brenda mandatit tonë të parë me 50%, ndërsa të gjithë treguesit e varfërisë do të përmirësohen me masat tona konkrete dhe të prekshme. Javët në vijim shpalosja e ofertës tonë do të bëjë qartë kategori për kategori, familje për familje për çdo trevë shqiptare, për çdo fasho të të ardhurave të çdo individi apo familje, profesione, moshë, benefitet direkte të këtij programi për ju dhe familjet tuaja”, tha Basha.
“Shtresa e mesme është motorri i zhvillimit, sepse nxit transformimin e shoqërisë, nxit inovacionin dhe ecjen përpara të ekonomisë. Një shtresë e mesme e fortë është po kështu garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit. Një shtresë e mesme e fortë është faktor kyç për nxitjen e rritjes ekonomike”, theksoi Basha.
“Familja është në qendër të politikave tona. Familja shqiptare është qendra, shtylla e politikave tona. Shqipëria do të fitojë me familje më të arsimuara, ma familje me të ardhura të sigurta, me familje që marrin mbështetje nga shteti dhe që paguajnë taksa të ulëta, të cilat do të ulin shpenzimet familjare dhe do të rrisin mirëqenien”, tha Basha.
Po ashtu Basha nënvizoi se, “rinia ka qenë është dhe do të jetë në këtë program fokusi kryesor i imi personal dhe i politikave tona. Rinia shqiptare është fokusi i këtij programi dhe e ardhmja e vendit, çdo masë, reformave fiskale, taksave, fushës së arsimit, politikat e nxitjes së investimeve të punësimit kanë për qëllim kryesor promovimin e të talentuarve dhe të aftëve dhe thithjen e talenteve të reja”.
“Largimi i të rinjve, largimi i potencialeve njerëzore është një katastrofë kombëtare dhe ndoshta çështja më e rëndësishme që do të ndikojë në të ardhmen tonë”, tha Basha, i cili shtoi se, “angazhimi i parë i programit tonë është minimumi 110 mijë vende të reja pune për shqiptarët, përmes përmirësimit klimës së biznesit, dhe tërheqjes së investimeve të huaja”.
“Unë angazhohem të rris pagën minimale dhe ta çojë atë në 36 mijë lek të reja në muaj, zotimi im i para 2 viteve para bashkimit të sindikatave shqiptare, është sot pjesë e planit tonë ekonomik. Rritja e pagës do të bëhet duke krijuar lehtësira për biznesin, duke e mbështetur atë, që jo vetëm të rritet paga minimale, por edhe numri i të punësuarve dhe jo siç ndodh sot, ku për shkak të kostove, taksave, gjobave, biznesi detyrohet të shkurtojë vende pune”, u shpreh Basha.
“Për 8 vite Rama jua rriti taksat shqiptarëve dhe i varfëroi ata, unë angazhohem t’i ul taksat mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh, dhe po kështu të vendosim taksën 9% të fitimit mbi të gjitha sipërmarrjet shqiptare me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja. Unë angazhohem të ul sigurimet shoqërore në vlerën 18%. Totali i taksave dhe tarifave vendore i bizneseve të vogla e të mesme nuk do të jetë më i lartë se 0.5% e xhiros. Ky është angazhimi im dhe i qeverisë sime për biznesin e vogël e të mesëm”, tha Basha.
“Një nga vendimet e para të qeverisë të dalë nga vota e 25 prillit do të jetë anullimi i taksës Rama prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin”, theksoi kreu i PD, i cili shtoi se, “prej ditës së parë të qeverisë së re të dalë nga vota juaj më 25 prill çdo litër karburant do t’ju kushtojë 240 lekë më pak të vjetra sesa ju kushton sot. Taksa Rama mbi karburantin do të eliminohet.
“Angazhohem se do të risim pensionet me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit me synimin që në fund të mandatit tonë të parë pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit”, shtoi Basha.
“Angazhohem të ul çmimin e energjisë elektrike dhe çmimin e karburante, ç’ka padyshim do të ndihmojë jo vetëm klimën e biznesit, por dhe familjet shqiptare. Do t’ju vijmë në ndihmë të gjitha familjeve shqiptare dhe sidomos çifteve të reja pa përjashtuar askënd. Ne do të mbulojmë shpenzimet arsimore për tarifat universitare për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura me pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj”, u shpreh Basha.
“Ne do t’iu japim fëmijëve të kenë mundësinë të kenë programe pas-shkollore edukative dhe do t’iu ofrojmë atyre ushqim në shkollë për orët shtesë. Kështu do ti mbajmë fëmijët tanë të sigurt dhe larg rrugëve. Tekstet shkollore do të jenë falas për të gjithë ciklin parauniversitar. Arsimi dija, përgatitja e brezit të ri. Ne do të investojmë që çdo fëmije ti jepet mundësi e barabartë për të pasur sukses. Familjet shqiptare po vuajnë prej kohësh dhe kjo qeveri vetëm i ka shpërfillur vuajtjet, sakrificat e tyre të dhimbshme për arsimimin e fëmijëve të Shqipërisë”, tha Basha.
“Ne do të mbështesim familjet shqiptare. Çdo familje do të përfitoj për të porsalindurit një pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për pesë vitet e para të jetës. Çdo vit të qeverisjes time 5 mijë çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi i plotë i interesave të kredive për strehim, çka do të thotë për ju të sapomartuar apo të sapofejuar apo që doni të hidhni këtë hap në jetë, por që nuk keni asnjë mundësi as ta çoni nëpër mend blerjen e një banese, se pas 25 prillit qeveria juaj do të paguaj 100% interesat bankare për çdo kredi që do të merrni për të blerë një apartament apo një banesë”, tha Basha, i cili shtoi se, “në fund të mandatit tonë të pare, do të jenë 20 mijë çifte dhe familje të reja që do të kenë siguruar strehim përmes kësaj skeme të subvencionimit të interesave”.
Basha tha se, “ne do të japim një financim rekord nga buxheti i shtetit për fermerët. Për herë të parë, me qeverinë e dal nga vota e 25 prillit fermeri shqiptar do të ketë të njëjtën mbështetje si fermerët e vendeve fqinje. 100 milionë euro mbështetje direkte, si dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore ose blegtorale”.