Pak para se të mbërrijnë vaksinat e para të Pfizer, kryeministri Edi Rama u kujdes të thekson se këtë marrëveshje e ka arritur vetëm Shqipëria dhe Serbia, teksa tha se nga marrëveshja me COVAX nuk ka “asgjë në horizont”. Rama sërish nuk i kurseu kritikat për BE-në.
“Ne kemi filluar vaksinimin me doza që kanë ardhur dhuratë nga një vend mik i BE-së, emrin e të cilit ende nuk mund t’ua komunikojë, ndërkohë që kemi kontratën e drejtpërdrejtë me Pfixer, ne Shqipëria dhe përveç nesh dhe Serbia, vendet e tjera sic po e ndiqni janë ende në një situatë pritshmërie në kushtet kur vaksina po komplikohet gjithnjë e më shumë dhe kur për këtë çështje Europa ka hyrë në një kaos, me jo vetëm BE, por edhe vende të tjera të mëdha që kërcënojnë me ndjekje në rrugë ligjore. I them për të mos harruar që sidoqoftë ne jemi në kushtet kur procesi i vaksinimit e kemi garantuar dhe do ta vazhdojmë falë faktit që nuk e lamë veten në dorë të të tjerëve, nuk pritëm COVAX, është ende në një proces që nuk duket se ku e ka fillimin. Jemi në kontakt, të vazhdueshëm, por edhe ata nuk janë të qartë dhe nuk japin një sinjal qartësi”, tha Rama.
Vetë kryeministri Rama së bashku me ministrat Manastirliu dhe Ahmetaj kanë shkuar në Rinas për të pritur dozat e para nga kontrata me ”Pfizer”.
Kanë mbërritur 1170 doza nga vaksina e Pfizer! Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili sqaroi se shkak pse nuk është marrë doza e plotë është për shkak të vonesës së vetë kompanisë. Ky fenomen është i përhapur tashmë në shumë vendet e Europës, ndërkohë që kompania Pfizer ka deklaruar se në gjysmën e shkurtit do të fillojë sërish shpërndarja, me kapacitet të plotë.