Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca tha se rezultatet e Policisë së Shtetit dhe GDF në luftën ndaj kultivimit të kanabisit për vitin 2018 janë mbresëlënëse.
Gjatë fjalës së tij në prezantimin e këtij raporti në Tiranë, Luigi Soreca u shpreh se parimi ‘ndiq paratë’ është thelbësor për të ndërprerë aktivitetet kriminale dhe se BE do vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në luftën ndaj prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
“Shtetet anëtare të BE theksuan qershorin e kaluar nevojën kritike për rezultatet konkrete në luftën ndaj kanabisit që duhet të bëjë Shqipëria. Rezultatet e sotme janë mbresëlënëse, pasi ka pasur ulje drastike të kultivimit të kanabist. Unë përgëzoj Policinë shqiptare dhe GDF për këto rezultate. Ne kemi parë dhe kemi dëshmuar këtë shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit, siç ishte goditja e 4 grupeve kriminale me arrestimin e 27 personave. Bashkëpunimi me agjencitë e BE do të sjellë rezultate edhe më të madha. Parimi ‘ndiq paratë’ është thelbësor për të ndërprerë aktivitetet kriminale. BE do vijojë të asistojë Shqipërinë në luftën ndaj kanabisit”- tha Soreca.