Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, ka filluar vizitën zyrtare dyditore në Shqipëri, ndërkohë është pritur në takim nga homologu i tij shqiptar, Gramoz Ruçi.
Pas takimit, Şentop dhe Ruçi dhanë një deklaratë të përbashkët për media, duke u fokusuar në ndihmën e Turqisë për Shqipërinë dhe rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ruçi theksoi se Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të besueshëm në NATO dhe po punojnë intensivisht për të arritur objektivin e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
“E falënderova dhe shpreha mirënjohjen për ndihmën që qeveria dhe populli turk nën udhëheqjen dhe me iniciativën e presidentit (Recep Tayyip) Erdoğan i kanë dhënë dhe po i japin Shqipërisë. Sigurisht që mirënjohja jonë shkon për ndërtimin e 522 shtëpive të banimit pas pasojave të tërmetit të 26 nëntorit, edhe pse Turqia u godit vetë nga një tërmet. I shpreha mirënjohjen presidentit të Asamblesë së Turqisë për ndihmën e madhe që ky vend i dha Shqipërisë për përballimin e vështirësive dhe rimëkëmbjen nga pandemia”, u shpreh Ruçi.
Ai tha se ndihmat e veçanta të Turqisë në infrastrukturën e sistemit të shëndetësisë, bashkëpunimi për kurimin e pacientëve në shtetin turk apo ndërtim i Spitalit të Fierit janë “tregues konkret për këtë kontribut që shteti dhe populli turk kanë dhënë si vend”.
Më tej, Ruçi theksoi se homologut Şentop i ka përcjellë se “Shqipëria vlerëson partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet tradicionale shumë të mira dhe miqësore me Tiranën dhe anasjelltas të Tiranës me Turqinë, në shërbim të fqinjësisë, stabilitetit, paqes dhe përparimit në rajon dhe më gjerë”.
“Bashkërisht vlerësuam vizitën e kryeministrit (Edi) Rama dhe takimin me presidentin Erdoğan në Ankara më 6 janar dhe sigurisht përshëndetëm nënshkrimin e deklaratës së përbashkët politike, deklaratë që i ngre marrëdhëniet tona dypalëshe në nivelin e partneritetit strategjik. Të dy bashkë ramë dakord që ridimensionimi i bashkëpunimit parlamentar ndërmjet rigjallërimit të grupeve të miqësisë të nxisë marrëdhëniet tona dypalëshe. Siç dihet Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të besueshëm në NATO dhe po punojnë intensivisht për të arritur objektivin e tyre kombëtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh Ruçi.
Sipas tij, integrimi evropian është destinacioni i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm i të dy vendeve.
Kryeparlamentari i Shqipërisë theksoi se ranë dakord që të vazhdojnë mbështetjen për kompanitë turke për investime edhe më të mëdha në Shqipëri.
“Përshëndetëm edhe marrëveshjen e nënshkruar pak muaj më parë në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, ashtu sikurse edhe deklaratën e Departamentit të Shtetit të datës 28 janar 2021 dhe po ashtu deklaratën e presidentit të sapo zgjedhur Joe Biden se thelbësore për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë është një zgjidhje gjithëpërfshirëse e cila do të çojë në njohje të ndërsjellë, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin rajonal të të dyja vendeve”, tha kryeparlamentari i Shqipërisë
Şentop: Nuk do të lejojmë që FETO të helmojë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë
Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop deklaroi se nuk do të lejojnë që organizata terroriste FETO të helmojë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, kryeparlamentari Şentop zhvilloi një takim kokë më kokë me homologun e tij shqiptar Gramoz Ruçi. Më pas Şentop dhe Ruçi kryesuan edhe takimin ndërmjet delegacioneve.
Şentop përshëndeti gazetarët dhe pjesëmarrësit e tjerë si dhe përcolli përshëndetjet e 83 milionëve banorëve nga Turqia dhe të presidentit, Recep Tayyip Erdoğan.
Po ashtu Şentop shprehu kënaqësinë që ndodhet në Shqipërinë mike dhe vëlla së bashku me delegacionin me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.
Duke vënë në dukje se me Shqipërinë ndajnë një histori të rrënjosur dhe një kulturë të pasur të përbashkët, Şentop tha se ka shumë personalitete të përbashkëta si Gedik Ahmet Pasha, që zhvilloi udhëtimin e Otrantos, arkitekti i xhamisë Sultan Ahmet (Xhamia Blu) me origjinë nga Elbasani, Sedefkar Mehmet Ağa, rektori dhe themeluesi i Universitetit të Stambollit, Hoxha Tahsin, poeti kombëtar dhe i himnit kombëtar, Mehmet Akif Ersoy dhe Sami Frashëri (Şemsettin Sami) i cili ka kryer punimet e para të enciklopedisë turke dhe fjalorit.
“Marrëdhëniet dypalëshe përparojnë në nivel të shkëlqyer dhe në mënyrën që i ka hije marrëdhënieve miqësore dhe të natyrshme historike”, theksoi Şentop i cili bëri të ditur se në bisedimet dypalëshe dhe ndërmjet delegacioneve kanë biseduar çështje jashtëzakonisht të dobishme dhe se kanë diskutuar në të gjitha dimensionet bashkëpunimin për marrëdhëniet dypalëshe dhe ndërparlamentare.
Kryeparlamentari Şentop rikujtoi se marrëdhëniet dypalëshe janë ngritur në nivelin e partneritetit strategjik gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit Rama në Turqi më 6-7 janar.
“Zyrtarizimi i partneritetit tonë strategjik do të çojë bashkëpunimin tonë në nivele shumë më të mira në çdo fushë. Gjatë vizitës së kryer nga i nderuar kryeministri Rama u arrit dakordësimi për ndërtimin e një spitali rajonal në Fier. Dëshiroj të shpreh sot këtu me kënaqësi se punimet e ndërtimit vazhdojnë pandërprerë”, tha Şentop.
Në fjalën e tij Şentop bëri të ditur se kryetarit Ruçi dhe delegacionit i ka shpjeguar edhe aktivitetet e organizatës terroriste FETO e cila ka kryer tentativën për puç ushtarak më 15 korrik 2016 në Turqi.
“Sikurse në shumë vende të Ballkanit FETO është e pranishme edhe në Shqipëri. Kjo organizatë terroriste është një organizatë e tillë saqë nuk kurseu as bombardimin e parlamentit që ndodhej në seancë plenare. Organizata terroriste FETO është eliminuar në masë të madhe në Turqi. Por qëllimi i vetëm i kësaj organizate me cilësi ndërkombëtare nuk është vetëm Turqia. Organizata terroriste FETO qëllimet dhe ambiciet e saj të fshehta i kryen duke u fshehur pas maskave të pafajshme siç janë aktivitete arsimore, shërbime shëndetësore, shoqata dhe punimeve të medias. Ata përbëjnë edhe një kërcënim sigurie për të gjitha vendet ku operojnë. Dëshiroj të theksoj se nuk do të lejojmë që organizata FETO të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve”, u shpreh Şentop.
Ndër të tjera Şentop foli edhe për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, ku theksoi se këto përbëjnë një dimension të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Aktualisht vëllimi ynë tregtar është gjysmë miliard dollarë. Ashtu sikurse e ka shprehur edhe i nderuari president ne kemi investime rreth 3,5 miliardë dollarë bashkë me shërbimet e ndërtimit në Shqipëri. Jemi të vendosur që brenda disa viteve në të ardhmen ta rrisim vëllimin tonë tregtar në 1 miliard dollarë. Përveç kësaj, dëshiroj të shpreh se kemi dëshirë dhe synim për të rritur investimet tona në Shqipëri, veçanërisht në turizëm. Po ashtu janë plotësuar edhe lejet e nevojshme për hapjen e konsullatës tonë në Vlorë. Shpresojmë që kjo do të vihet në funksion në kohën më të shpejtë. Në këtë mënyrë do të ndërtohet një pikë e rëndësishme që do të kontribuojë në zhvillimin e turizmit në jug të Shqipërisë”, tha kryeparlamentari i Turqisë.
Şentop i cili u prit në një takim edhe nga presidenti Ilir Meta, do të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin Edi Rama. Kryeparlamentari turk nesër do të zhvillojë një vizitë në qytetin e Shkodrës.