Këshilli i Ministrave ka vendosur që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi të ruhet me truprojë dhe të ketë shofer personal, gjithsej 2 nënoficerë.
Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë.
Celibashi u zgjodh pak muaj më parë në krye të institucionit të përgatitjes së zgjedhjeve në Shqipëri.
Vendimi i plotë:
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.591, DATË 5.9.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PERSONALITETEVE TË TJERA TË LARTA SHTETËRORE TË VENDIT, QË DO TË RUHEN DHE MBROHEN NGA GARDA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 4, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pas shkronjës “ë”, të pikës 1, të vendimit nr.591, datë 5.9.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) “Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve”, me truprojë – shofer, gjithsej, 2 nënoficerë”.
Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.