Komiteti Teknik i Ekspertëve ka ashpersuar masat anti-Covid pasi pesë javët e para të vitit 2021 janë shoqëruar me rritje shqetësuese të rasteve dhe viktimave.
Ministrja Ogerta Manastirliu komunikoi se prej datës 11 shkurt e deri më 25 shkurt do të:
- kufizohet lëvizja nga ora 20:00-6:00 me përjashtim të emergjencave dhe lëvizjeve për punë;
- aktiviteti i bareve dhe restoranteve do të ndalohet nga ora 20:00-6:00;
- kalojnë në mësim online shkollat e mesme në bashkitë Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz;
- zgjatet sezoni i provimeve për universitetet për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor;
Kalimi i mësimit online edhe në shkollat e mesme u arsyetua me faktin se ka pasur raste të shtuara të grup-moshave 15-24 vjeç. Për këtë situatë ministrja Manastirliu kërkoi “dy javë sforco” për të parandaluar përkeqësimin e situatës. Ajo tha se nuk do të ketë asnjë tolerim dhe se këto 14 ditë “janë vendimtare”.
Pas dy javësh Komiteti Teknik do të ri-shikojë nëse do të jetë e nevojshme për të lehtësuar apo aplikuar masa të tjera kufizuese.
Masat e reja anti COVID
1.Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
2.Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
3.Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
4.Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.
Vendimet erdhën pak orë pasi kryeministri Edi Rama i paralajmëroi masat e reja gjatë ditës së djeshme. Burime për DITA thanë se efektivë të policisë kanë njoftuar lokalet që mbrëmë që të marrin masa për mbyllje nga ora 20:00 e kësaj të marte.
Infektimet janë shtuar dhe gjithashtu dyshohet se variantet e reja të virusit janë të pranishme. Dje është shënuar rekordi i rasteve të reja që nga fillimi i pandemisë ku nga 4562 testime të kryera, 1239 persona kanë rezultuar të infektuar me COVID dhe 16 pacientë kanë ndërruar jetë.
Në mbështetje të masave kufizuese dje është shprehur edhe Akademia e Shkencave.