Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim gjatë një vizite që ka pasur sot në Portin e Durrësit ka komentuar arrestimin e gjyqtares në Krujë, Enkelejda Hoxha. Znj. Kim tha se ky arrestim por edhe zhvillimet të fundit tregojnë se SPAK ka nisur të funksionojë. Ambasadorja duke u kundërpërgjigjur skeptikëve i fton ata që të shohin faktet dhe të mos shpërqendrohen nga propaganda.
“Për të gjithë ata skeptikë që kanë thënë se asgjë nuk ka për të ndodhur, që reforma në drejtësi nuk do të ndodhë, që SPAK nuk ka për të funksionuar asnjëherë, kam një lajm për ju: e keni gabim. Do doja të shikonit të gjitha hapat që ka ndërmarrë SPAK, çështjet që ka hapur, përfshi sot në Krujë”, tha ambasadorja.
“Reforma në drejtësi nuk është një mrekulli; është punë e vështirë, hap pas hapi, do të ketë dështime rrugës, por duhet të mbështesim njëri-tjetrin rrugës dhe të ecim përpara. Është edhe diçka që e kam theksuar edhe më herët, se është e rëndësishme që ta shtyni veten, ta detyroni veten që të keni më shumë shpresë se sa skepticizëm. Prandaj, përqendrohuni tek faktet, shihni se çfarë është duke bërë SPAK, çfarë është duke bërë policia dhe mos lejoni që të shpërqendroheni nga propaganda”, shtoi znj. Kim.
Ambasadorja amerikane foli edhe për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri ku tha se është e mbështetur në tri prioritete: demokracia, mbrojtja dhe biznesi.
“Erdha sot në Portin e Durrësit sepse këtu është vendi ku këto tri prioritete – demokracia, mbrojtja dhe biznesi – bashkohen. Demokracia në kuptimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pata mundësinë të bisedoja me drejtorin e autoritetit portual si dhe me atë të doganave. Kemi rënë dakord gjithashtu që janë disa hapa praktikë që mund të ndërmerren në mënyrë që të mbyllen disa pika të verbra. Pres me kënaqësi që të rikthehem së shpejti dhe të shoh se ku është bërë përparim dhe gjithashtu se ku Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje”, ka nënvizuar znj. Kim.
Ambasadorja foli dhe për investimet amerikane në Shqipëri ku tha se shikon një potencial të madh por pengesë mbetet forcimi i shtetit ligjor ndaj edhe vihet theksi tek reforma në drejtësi.
“Për sa i përket çështjes së biznesit, sikurse jeni në dijeni Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Shikoj potencial të madh për më shumë investime nga SHBA, investime të mëdha nga SHBA. Sikurse e kam thënë më parë, kjo ka të bëjë me forcimin e shtetit ligjor dhe rritjen e transparencës së proceseve. Për këtë arsye reforma në drejtësi është e rëndësishme. Nuk është një çështje morale, është një çështje biznesi”, përfundoi znj. Kim.