Ditën e sotme, presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me Forumin Botëror të Investimeve të Engjëjve të Biznesit 2021
Përmes një postimi në facebook, Kreu i Shtetit bën me dije se në takim u diskutua për vështirësitë ekonomike ku gjenden vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të situatës së COVID-19.
Më tej presidenti Meta e ka vënë theksin se për të garantuar një rritje të qëndrueshme ekonomike, duhet që vendi të orientohet drejt prodhimeve dhe shërbimeve cilësore, me siguri të lartë, në mënyrë që të jemi më konkurrues në tregun rajonal e ndërkombëtar.
Postimi i plotë:
Në punimet e sotme të Forumit Botëror të Investimeve të Engjëjve të Biznesit 2021, shpreha qëndrimin se, për shkak të situatës pandemike, ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet me të gjitha mënyrat, të përmirësojnë performancën, duke mbështetur me politika efikase sipërmarrjen dhe përdorur sa më mirë inovacionin e teknologjinë.
Rajoni ynë është i pasur me burime natyrore, ndaj dhe mundësitë e reja të biznesit duhet të shfaqen në të gjitha fushat.
Është shumë e rëndësishme, që secili vend, përfshirë Shqipërinë, të mbështesë sektorët ku përparësia krahasuese mund të arrihet në raport me shtetet e tjera.
Vendi ynë i ka të gjitha kapacitetet për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe teknologjinë e informacionit.
Për të qenë të suksesshëm dhe për të garantuar një rritje të qëndrueshme ekonomike, duhet të orientohemi drejt prodhimeve dhe shërbimeve cilësore, me siguri të lartë, konkurruese në tregun rajonal e ndërkombëtar.