Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg do të paraqesë të mërkurën plane për të modernizuar aleancën pas katër vjet fërkimesh me Uashingtonin dhe për t’u përballur me sfida, të tilla si rritja ushtarake e Kinës dhe Rusia si vend kundërshtar.
Pas retorikës konfrontuese midis Uashingtonit dhe aleatëve gjatë presidencës Trump, zoti Stoltenberg do të parashtrojë tetë fusha ku NATO-ja mund të modernizohet për një periudhë afatmesme, nga ndryshimi i klimës tek financimi më i qëndrueshëm i operacioneve ushtarake, thanë dy zyrtarë të lartë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Propozimet për reforma, të cilat udhëheqësit e NATO-s pritet t’i marrin në shqyrtim gjatë një takimi të nivelit të lartë në Bruksel të planifikuar për këtë vit, synojnë të bindin pasardhësin e zotit Trump, Joe Biden, që të mbështesë fuqimisht NATO-n dhe të zbusin aleatët e irrituar për atë që ata e quajnë dështim të aleancës për t’u koordinuar në nivel politik.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha në fund të vitit 2019 se NATO-ja ishte “duke përjetuar një vdekje klinike”, kur Turqia, anëtare e aleancës, filloi një ofensivë ndaj kryengritësve të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në Siri.
“Ne kemi një mundësi të veçantë për të riaktivizuar dhe forcuar lidhjen ndëratlantike”, tha zoti Stoltenberg për gazetarët të hënën, duke iu referuar procesit të reformës “NATO 2030”.
Propozimet përfshijnë ndryshime në dokumentin e strategjisë bazë të NATO-s, “Koncepti Strategjik”, në të cilin mund të merren parasysh aftësitë ushtarake kineze dhe konkurrenca strategjike ruse në rritje.
Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg do të propozojë diskutime të reja politike në NATO, për të lejuar takime të shpeshta të ministrave të jashtëm, ministrave të brendshëm dhe këshilltarëve të sigurisë kombëtare si dhe mënyra për të zvogëluar ndikimin e ndryshimit të klimës tek çështjet e sigurisë apo emetimet e gazit karbonik si rrjedhojë e veprimtarive ushtarake.
Zoti Stoltenberg, ish-kryeministër norvegjez, gjithashtu do të sugjerojë që aleatët të financojnë kolektivisht më shumë nga operacionet e tyre parandaluese në territorin e vendeve aleate, në vend të sistemit të tanishëm ku një aleat i vetëm mbulon të gjitha shpenzimet e një dislokimi të caktuar.
Këto fonde, të cilat mund të përfshihen në një buxhet të zgjeruar të përbashkët ushtarak të NATO-s, do të llogariten gjithashtu në objektivin vjetor të Aleancës për shpenzimet e mbrojtjes, që duhet të kapë 2% të prodhimit ekonomik, në mënyrë që të shmanget një barrë shtesë mbi aleatët, thanë dy zyrtarët e NATO-s.
“Sekretari i Përgjithshëm po mendon se si mund ta bëjmë këtë më të qëndrueshme dhe më të drejtë, sepse këto aktivitete janë thelbësore për sigurinë tonë. Duhet të gjejmë një rrugë për të ndryshuar mënyrën e financimit të tyre”, tha një zyrtar i NATO-s.
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut u krijua në 1949 për t’u përballur me kërcënimin e Bashkimit Sovjetik komunist, por gjeti një objektiv të ri pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014.
NATO-ja tani është nën presion për të ndihmuar në zgjidhjen e disa prej krizave më të vështira në botë dhe Uashingtoni e ka shtyrë atë të shqyrtojë qëndrimin e saj ndaj Kinës, një fuqi ushtarake në rritje.