Pas Instagram, edhe Facebook ka fshirë qindra profile të rreme. Sipas një deklarate, rrjeti social cilëson se ka hequr më shumë se 200 llogari të rreme që synojnë njerëzit në Moldavi, disa prej të cilave kishin lidhje me punonjësit e qeverisë.
Facebook tha se postimet nga këto profile kishin të bënin me çështje politike, fotografi të manipuluara dhe imitonin një organizatë lokale.
“Edhe pse njerëzit që qëndronin pas këtij aktiviteti u përpoqën të fshehin identitetin e tyre, shqyrtimi ynë manual zbuloi se disa prej këtij aktiviteti ishin të lidhura me punonjësit e qeverisë moldave”, thuhej në deklaratën e Facebook.
Në tërësi, 168 llogari, 28 faqe dhe tetë përdorues të Instagram ishin hequr. Por, ndryshe nga pretendimet e ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane, aktiviteti erdhi nga brenda Moldavisë, shpjegonte Facebook.
Më 24 shkurt Moldvia do të zhvillojë zgjedhjet nën një sistem të ri elektoral. Një nga vendet më të varfëra të Evropës, është e ndarë politikisht midis fraksioneve pro-perëndimore dhe pro-ruse.