Përgatitjet për zgjedhjet e 25 prillit kanë çuar ambasadoren e SHBA, Yuri Kim në zyrën e kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zhvilluar paraditen e sotme një takim për rreth një orë me kryetarin e KQZ.
Në fokus të këtij takimi mësohet se ka qenë diskutimi për pastërtinë e figurës së kandidatëve për deputetë që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit.
Kujtojmë se pak javë më parë Yuri Kim, në vijim të apelit për kandidatë të pastër për zgjedhjet e 25 prillit ka rikujtuar vendimin e DASH për Tom Doshin, të cilin e ka futur në listën e zezë.
Ky takim vjen në vrazhdën e një sërë takimesh të zhvilluara ndërmjet kreut të KQZ-së, dhe ambasadores amerikane. Takimi i fundit mes tyre u zhvillua në datën 15 janar ku u diskutua në lidhje me identifikimin biometrik të zgjedhësve.
Vetëm pak ditë më parë KQZ bëri një demonstrim të mënyrës së identifikimit biometrik. Pajisja bën të mundur identifikimin e votuesit në kohë të shpejtë, ndërsa shmang votimin e dyfishtë. Të gjitha palët politike sollën përfaqësuesit e tyre për te provuar pajisjen.