Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor në javën e parë të muajit mars.
Siç bëhet e ditur nga Zyra e BE-së në Kosovë, Lajçak do ta fillojë vizitën e tij në Kosovë ku pritet të qëndrojë nga 1 deri më 3 mars.
Më pas, ai do ta vazhdojë vizitën në Serbi nga 3 deri më 4 mars dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri më 5 mars.
“Lajçak planifikon të takohet me udhëheqjen politike të të tre partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në terren”, theksohet në njoftim.
Lajçak për herë të fundit Kosovën e ka vizituar në tetor të vitit 2020 ku u takua me krerë institucional e politik dhe dha mesazh se “pa formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk mund të ketë marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë”.