Nga dita e mërkurë, Maqedonia e Veriut do të shtrëngojë masat për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit të ri.
Masat, të cilat të martën pritet të miratohen nga qeveria, parashikojnë ndalimin e plotë të lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00.
Këto masa janë propozuar nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive, pas rritjes së rasteve me koronavirus në tre javët e fundit.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka thënë se kufizimet do të vlejnë të paktën dy javë.
Sipas tij, shtrëngimet do të bëhen pasi në objektet e gastronomisë nuk po respektohen masat në orët e vona të mbrëmjes dhe vërehen grupime në to sikur edhe në hapësirat publike.
“Nuk po respektohen masat dhe kjo ka bërë që të kemi rritje të rasteve të personave të sëmurë me COVID-19”, ka deklaruar të hënën Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Klinikat e brendshme në Shkup janë në gatishmëri dhe të gatshme për të pritur pacientët me COVID-19. Spitalet nuk janë të ngarkuara aq e fortë sikur në nëntor dhe kjo është me rëndë. Është e vështirë të thuash nëse kjo tendencë do të vazhdojë, nëse do të ketë valë të re apo nëse do të ruhet gjendja e tanishme. Ekzistojnë mendime të ndara midis epidemiologëve për këtë çështje. Por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgatitur. Këto masa do të jenë të vlefshme për 2 javë, por natyrisht ne jemi duke monitoruar situatën dhe është e mundur që të ketë ndryshime”, ka deklaruar ministri maqedonas i Shëndetësisë.
Maqedonia e Veriut të dielën ka pranuar 3.000 vaksina ruse Sputnik V, nga rreth 200.000 sa janë porositur nga Rusia për vaksinimin e popullatës për mbrojtje nga koronavirusi.
Ky vend deri më tani ka pranuar rreth 8.000 doza vaksinash të kompanisë amerikane Pfizer, edhe atë si donacion nga Serbia.
Prej shpërthimit të pandemisë, me koronavirus në Maqedoninë e Veriut janë të diagnostikuar mbi 107.000 persona. Prej tyre 3.195 e kanë humbur jetën, rreth 95.000 janë shëruar ndërsa aktive janë rreth 9.300 raste.