Protesta e sotme në Tiranë, ku pati akte dhune ka shkaktuar reagimin e Shteteve të Bashkuara. Ambasada e saj përmes rrjeteve sociale ka komentuar edhe sulmin mbi Kryeministrinë.
“Dënojmë me forcë dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën gjatë protestave të sotme në Tiranë.
Mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme.
Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë.
Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive” – thotë ambasada në një reagim publik.
Protesta e 16 Shkurtit e thirrur nga opozita ka degjeneruar në akte dhune mbi godinën e Këshillit të Ministrave dhe mbi policinë. Kjo e fundit u është përgjigjur vetëm përmes gazit lotsjellës.
Në deklaratat e tyre, krerët e opozitës nuk kanë bërë thirrje për tërheqje, por u shprehën se ‘tashmë e ka populli në dorë fatin e protestës
Por rreth protestes ka reaguar edhe Brukseli zyrtar.
Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme.
Nisur nga aktet e dhunës së opozitës te godina e Kryeministrisë, BE shprehet se e drejta e qytetarëve për të shprehur veten përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane.
Megjithatë, shton Bashkimi Evropian, dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës nuk janë të pranueshme.
“Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe përçarjen” – thotë BE në një deklaratë për shtyp.
/javanews/a.r