Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem, njoftoi të dielën, më 14 mars, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.
“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri (i Jashëm i Izraelit, Gabriel) Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
MPJD-ja thotë se me hapjen e hapjen e Ambasadës së saj në Jerusalem, Kosova ka përmbushur zotimin e dhënë më 1 shkurt, kur të dyja shtetet vendosën marrëdhënie diplomatike.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thotë Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Besnik Tahiri, në një konferencë për media të mbajtur të dielën në Prishtinë, njohjen nga Izraeli e cilësoi si një nga njohjet më të rëndësishme që ka marr Kosova që prej se ka shpallur pavarësinë më 2008.
Tahiri, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër në detyrë, tha se pret që Qeveria e ardhshme e Kosovës të respektojë vendimin për hapjen e Ambasadës në Jerusalem.
“Shtetet nuk ndryshojnë qëndrime në bazë të ndërrimit të qeverive apo administratave. Ky është vendim shtetëror i cili besoj se do të respektohet edhe nga qeveria e ardhshme”, tha Tahiri.
Ky koment i Tahirit vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje, që ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit, e që pritet të udhëheqë me qeverinë e re, kishte thënë se do të rishikonte dokumentacionin e qeverisë në shkuarje.
Tahiri dha një kronologji të hapjes së Ambasadës, duke theksuar se fillimisht ishte paraparë që më 15 mars, ish-ministrja Meliza Haradinaj-Stublla të merrte pjesë në inaugurimin e Ambasadës në Jeruslam, por më 9 mars, Haradinaj-Stublla dha dorëheqje nga ky post, nën dyshimet për përfshirje në manipulim të votave për zgjedhjet e 14 shkurtit. Prandaj, ai tha se ka autorizuar të ngarkuarën me punë, Ines Demirin, që të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së ambasadës.
Ambasada e Kosovës, sipas Tahirit, gjendet 500 metra larg Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.
E ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael Ines Demiri, më 26 shkurt njoftoi përmes Twitter-it se ka arritur në Izrael. Ajo pritet të jetë ambasadorja e Kosovës në këtë shtet.
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, është paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkaq, në rastin e Serbisë, është paraparë zhvendosja e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.
Hapjen e Amasadës së Kosovës në Jerusalem e kishte kundërshtuar Bashkimi Evropian. Më 2 shkurt, BE-ja e quajti vendim fatkeq hapjen e kësaj ambasade në qytetin e Jerusalemit, statusin e të cilit, blloku evropian e konsideron të pazgjidhur.
Kundërshti kishte shprehur edhe Ambasada turke në Prishtinë si dhe Liga Arabe. Kjo e fundit, i kishte bërë thirrje Kosovës që të heqë dorë nga ky vendim, dhe t’i përmbahet rezolutave ndërkombëtare mbi Jerusalemin.
Në fund të vitit 2017, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi për vendimin e qeverisë së tij që të njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Më këtë, SHBA-ja mori vendim që të zhvendoste edhe Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Veprimi i SHBA-së nxiti reagime të shumta ndërkombëtare, pasi shumica e fuqive botërore nuk e njohin sovranitetin e Izraelit mbi të gjithë Jerusalemin dhe thonë se statusi përfundimtar i tij duhet të vendoset përmes negociatave për paqe në Lindjen e Mesme.
Konflikti izraelito-palestinez është një konflikt i vazhdueshëm që ka filluar dekada më parë.
Ka pasur përpjekje të shumta për zgjidhjen paqësore të problemit, mirëpo konflikti është prezent edhe sot./Rel