Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se është i “zhgënjyer thellë” me vendimin e Turqisë, për tërheqje nga pakti kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.
“Vendet duhet të punojnë për të rinovuar dhe forcuar angazhimet e tyre për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, duke mos hedhur poshtë traktatet ndërkombëtare të hartuara për të mbrojtur gratë dhe për t’i mbajtur abuzuesit përgjegjës. Ky është një hap mbrapa dhe zhgënjyes për lëvizjen ndërkombëtare për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave në botë”, ka thënë Biden, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.
Konventa e Stambollit e vitit 2011, e nënshkruar nga 45 vende dhe Bashkimi Evropian, kërkon që qeveritë të miratojnë legjislacionin që ndjek penalisht dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave.
Konservatorët në Turqi kishin deklaruar se ky dokument dëmton unitetin e familjes, inkurajon divorcin dhe se referencat e saj për barazinë po përdoren nga komuniteti LGBT (Lezbiket, Homoseksualët, Biseksualët, Transgjinorët dhe Ndërseksualët) për t’u pranuar më gjerë në shoqëri.
Qeveria turke shkaktoi zemërim të brendshëm dhe ndërkombëtar pasi shpalli vendimin për tërheqje. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje të dielën që të gjithë nënshkruesit të ratifikojnë konventën.
“Gratë meritojnë një kornizë të fortë ligjore për t’i mbrojtur ato”, shkroi ajo në Twitter, duke shtuar: “Dhuna ndaj grave nuk është e tolerueshme”.
Organi më i lartë i të drejtave të njeriut në Evropë, Këshilli i Evropës, dënoi tërheqjen e Turqisë nga traktati. Ky mekanizëm ka qenë sponsorizues i këtij dokumenti.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Turqinë, Nacho Sanchez Amor shkroi të shtunën (20 mars) në Twitter se “kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë aktuale turke: mosrespektimi i plotë i sundimit të ligjit”.
Të shtunën në Stamboll dhe disa qytete tjera mijëra gra protestuan kundër vendimit për tërheqje nga Konventa.
Protestueset mbajtën portrete të grave të vrara në Turqi, me një mbishkrim: “Janë gratë ato që do të fitojnë këtë luftë”.
Ministrja e Punës, Familjes dhe Shërbimeve Shoqërore në Turqi, Zehra Zumrut Selcuk shkroi në rrjetin social Twitter se të drejtat e grave janë ende të mbrojtura nga ligjet turke dhe sistemi gjyqësor është “mjaft dinamik dhe i fortë” për të miratuar rregullore të reja.
Që nga fillimi i vitit në Turqi janë vrarë 77 gra, kanë njoftuar grupet për mbrojtjen e grave. Të paktën 409 gra u vranë në vitin 2020.