Shtetet e Quint-it thonë se detyra e parë e institucioneve të reja të Kosovës është zgjedhja e presidentit të ri të vendit.
Përmes një deklarate, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, kanë uruar Kosovën për zgjedhjen e kuvendit dhe qeverisë së re.
“Në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën. Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri”, thuhet në deklaratë.
Më 22 mars, u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Sfida e radhës për partinë e Kurtit është që të zgjedhë edhe presidentin e ri të vendit. Për këtë post, kjo parti ka nominuar Vjosa Osmanin.