Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushoglu tha se për të vazhduar axhendën pozitive mes Turqisë dhe Bashkimit Europian do të punojnë së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell.
Çavushoglu u takua në një darkë pune me Borrell pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së që u mbajt në Bruksel.
Në një vlerësim nga llogaria e tij në median sociale, lidhur me takimin, Çavushoglu tha se “për të vazhduar axhendën pozitive do të punojmë së bashku me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell”.
Duke vënë në dukje se nevojitet më shumë bashkëpunim për përditësimin e Unionit Doganor, liberalizimin e vizave mes Turqisë dhe BE-së, dhe për luftën kundër emigracionit të parregullt dhe terrorizmit, Çavushoglu theksoi se në takim kanë biseduar edhe për çështjet rajonale, përfshirë Sirinë, Afganistanin dhe Libinë.
Në një deklaratë pas takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së i cili u mbajt para Samitit të Liderëve të BE-së që do zhvillohet këtë javë dhe në të cilin do të vlerësohen marrëdhëniet Turqi-BE, Borrell tha se “me Turqinë dëshirojmë të formojmë marrëdhënie si një vend kandidat, fqinj dhe si një vend i rëndësishëm me të cilin mund të zhvillojmë marrëdhëniet më të mira. Këtë dëshirojmë ta bëjmë duke mbrojtur interesat e vendeve anëtare dhe të BE-së”