Kolona të automjeteve dhe turma në vendkalimin kufitar Tabanoc. Mijëra shtetas të Maqedonisë u nisën për në Serbi këtë mëngjes pasi autoritetet e atjeshme njoftuan, se të gjithë shtetasit e huaj të interesuar mund të imunizohen falas këtë fundjavë me vaksinën Astra Zeneka. Vaksinimi kryhet në disa pika në panairin e Beogradit, dhe përveç nga Maqedonia, ka edhe qytetarë nga BeH dhe Mali i Zi. Disa nga qytetarët shkuan për vaksinim pasi ishin paraqitur më parë në sistemin shëndetësor elektronik serb, pas së cilës ata morën ftesë me termin. Por, ka edhe njerëz që nuk kishin caktuar termin, por me vete kanë vetëm pasaportë. Pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, qytetarët do të marrin termin në mënyrë elektronike, për rivaksinim tre muaj më vonë. Sipas udhëheqësit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, fotografia e sotme në Tabanoc e pasqyron paaftësinë e qeverisë, për të siguruar vaksina për qytetarët e saj.
“Sot, kolonat e automjeteve për Serbinë fqinjë e tregojnë më së miri mjerimin, dhe paaftësinë e qeverisë së Zoran Zaevit. Kjo gjithashtu tregon se sa njerëzit u besojnë autoriteteve, që i paralajmëruan vaksinat për nesër. “Shteti ekziston për t’i shërbyer qytetarëve, vetëm në vendin tonë ekziston shteti për t’u vjedhur nga pushteti”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Sipas njoftimeve, 24,000 vaksina Astra Zeneka duhet të arrijnë nesër në aeroportin e Shkupit, përmes mekanizmit të përbashkët ndërkombëtar Kovaks.
“Ministri i Shëndetësisë dhe një delegacion i përbërë, nga anëtarë të korit diplomatik, përfaqësues të OBSH-së, UNICEF-it dhe Zyrës Rajonale të KB-ve, nesër do ta marrin dërgesën e parë të vaksinave në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Me këtë dërgesë, pritet që më në fund të fillojë imunizim më në numër i popullsisë, i cili është shtyrë disa herë me muaj. Deri më tani, në Maqedoni vetëm 6,000 punonjës të shëndetësisë janë vaksinuar me vaksinën Fajzer, të cilat mbërritën muajin e kaluar si dhurim nga Serbia, dhe me 3,000 vaksina të tjera nga Sputniku i Rusisë.
ALSAT